E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Spitalit të Burgut: Dritan Dajti, mbetet i paralizuar

TIRANË- Dritan Dajti, i akuzuar si autor i vrasjes me armë zjarri të katër punonjësve të Policisë së Shtetit do të mbetet i paralizuar si pasojë e një plumbi që i përshkoi shtyllën vertebrale.

Ai u plagos me tre plumba, një në këmbë, një në ije dhe një tjetër në shpatull, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e Policisë në operacionin për arrestimin e tij në datën 7 Gusht në Durrës. Në një prononcim zyrtar, Drejtori i Spitalit të Burgut, mjeku Ylber Vata, bëri të ditur se, gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit paraqitet e qendrueshme, por ai ka mbetur i paralizuar. "39-vjeçari Dajti i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe i është hequr një nga tre predhat e plumbave të marra në trup, konkretisht ajo që kishte në këmbë. Në ditët në vijim pritet të operohet për dy predhat e tjera të mbetura, njëra nga të cilat, i ka prekur shtyllën vertebrale, duke i paralizuar atij aktualisht njërën nga gjymtyrët, këmbën e majtë", tha Vata.

Drejtori i Spitalit të Burgut foli edhe për sjelljen e Dritan Dajtit me personelin e Spitalit duke nënvizuar se "ajo është normale". Nga ana tjetër mësohet se, autoritet policore të burgut kanë marrë masa të larta sigurie për mbikëqyrjen në Dajtit në Spitalin e Burgut në Tiranë.

Gati dy javë më parë në Durrës, 4 oficerë të Policisë së Shtetit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duckollari dhe Kastriot Feskaj humbën jetën në përpjekje për të arrestuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti i plagosur dhe vetë Dajti, ndërsa u vra shoku i tij, Ledion Mara me precedent penal të mëparshëm. Forcat e Policisë së Shtetit bënë të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti si dhe të dy bashkëpunëtorëve të tij të dyshuar.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›