Masterat dhe Doktoraturat, caktohen kuotat dhe tarifat
TIRANË - Qeveria ka nxjerrë sot vendimin për kuotat e pranimit dhe tarifën e studimit për Masterat (master i nivelit të dytë) për të gjitha fakultetet e universiteteve publike. Po kështu iu ka miratuar doktoraturën vetëm dy fakulteteve, Gjuhëve të Huaja dhe Shkencave të Natyrës. Fakulteteve të tjera ende jo, edhe pse kanë aplikuar prej vitesh. Tarifa e studimit është 100 mije lekë për të gjithë llojet e mastereva dhe 200 mije për doktoraturat.
Kuotat
Universitetet shtetërore në Tiranë dhe rrethe, kishin kërkuar më shumë, por qeveria vendosi sot t'iu japë 1615 kuota pranimi për studentët e regjistruar në "master i nivelit të dytë". Tashmë janë dorëzuar aplikimet dhe fakultetet deri në fund të muajit duhet të shpallin emrat e fituesve që mbaheshin peng nga vendimi për kuotat. Sipas dekanëve renditja do të bëhet në bazë të notës mesatare të shkollës së lartë së çdo kandidati.
Ndërkohë nga shuma totale prej 1 651 kuotash ka firo, pasi 50 janë të destinuara për studentët e huaj dhe 160 të tjera për studentët që vijnë nga trojet. Për këta të fundit seleksionimin do ta bëjë Ministria e Arsimit dhe jo universitetet.
Përsa i përket kostos, ajo është 100 mijë lekë (të reja) dhe paguhet me këste.
Studentët që kanë kryer me rezultate të shkëlqyera ciklin pararendës të studimeve, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit.
Për fakultetin e Muzikës, qeveria vendosi sot për çeljen e "masterit të nivelit të dytë, në 'Interpretim' ku do të pranohen 40 studentë. Dy prej kuotave janë për trojet.
Doktoraturat
Shkencat e Natyrës, mbeten pararojë ndër fakultetet shteterore. Kështu të paktën thotë qeveria e cila i dha sot plot 8 lloje doktoraturash. Në ndryshim nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja që i miratoi 2 lloje doktoraturash dhe në ndryshim nga gjithë fakultetet e tjera shtetërore në vend që prej më se tre vjetësh nuk mund të lëshojnë asnjë diplomë doktorature. Që me miratimin e ligjit të ri të Arsimit të Lartë doktoraturat u bllokuan nga ministria për tu përshtatur me programet e reja. Aktualisht fakultetet kanë riformuluar programet e tyre dhe kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për çeljen e këtyre lloj studimesh, por qeveria ende nuk iu ka dhënë 'OK'.
Përsa i përket Shkencave të Natyrës, Doktoratura do ti kushtojë studiuesit 200 mijë lekë (të reja) dhe do të zgjasë tre vite akademike. Llojet e studimeve janë si më poshtë: Doktor në Fizikë, Doktoratë në Analiza kimike e lëndës dhe mjedisit, në "Elektrokimi e zbatuar dhe dukuritë sipërfaqësore, në Teknologji dhe mikrobiologji e ushqimeve & vlerësimi i sigurisë dhe cilësisë, në Proceset e trajtimit kimik të lëndëve të para natyrore dhe të mbeturinave industriale e urbane, në Biologji Molekulare, në Biologji e Ruajtjes, në Bioteknologji Bimore. Për secilin profil do të ketë nga 10 kuota pranimi.
Ndërsa në fakultetin e Gjuhëve të Huaja çelet Doktoratë në "Shkenca gjuhësore", ku do të pranohen 25 kandidatë dhe Doktoratë në Letërsi botërore, me 40 kuota.