E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kërkon që kompromisi që po karakterizon reformën në drejtësi, të shtrihet edhe tek reforma zgjedhore

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike, deklaroi dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, se është plotësisht e mundshme, që ajo frymë që karakterizoi diskutimin e ligjit për drejtësinë, të karakterizojë edhe diskutimin për reformën zgjedhore si dhe për reformat e tjera. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga deputetët në Komisionin e Ligjeve për sa i përket procesit të reformave, si dhe bashkëpunimin me opozitën për reformimin e njërit prej sistemeve më kryesore të vendit, atë gjyqësor. “Në këtë kontekst, unë dua të shpreh vullnetin e palëkundur të mazhorancës që të procedojë në të gjitha aspektet e tjera me këto reforma, në interesin më të mirë të vendit, të demokracisë dhe konsolidimit të saj, si dhe për konsolidimin e kësaj klime, e cila është jetike për sistemin e demokracisë”, tha Kryeministri. Duke theksuar se reformat janë themeli i një sistemi demokratik, Kryeministri nënvizoi se “mbetet ende për të bërë, një punë më intensive në javët në vijim, për të konkretizuar rezultate në reformën zgjedhore”. Kryeministri vlerësoi pozitivisht faktin se në këtë aspekt ka përqasje të pranueshme nga të dy palët. “Zoti Rusmali së bashku me z. Islami kanë vazhduar komunikimin dhe kanë trajtuar opsione dhe mundësi me të cilat rezulton se është plotësisht e mundshme, që ajo frymë që karakterizoi diskutimin e ligjit për drejtësinë, të karakterizojë edhe diskutimin për reformën zgjedhore, si dhe për reformat e tjera”, u shpreh Kryeministri. Duke vlerësuar se fryma e bashkëpunimit është jashtëzakonisht e domosdoshme për lehtësimin e procesit të integrimit dhe konsolidimin e vlerave demokratike, Kryeministri Berisha theksoi se “ky proces i rëndësishëm do t’i japë demokracisë së vendit dimensione të tjera”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›