E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vlerëson ekspertizën e Bankës Botërore për privatizimin e KESH-it dhe ARMO-s

Kryeministri Sali Berisha priti dje, në një takim Drejtoreshën e Bankës Botërore, Jane Armitage, e cila shoqërohej nga përfaqësuesja e BB-së në Tiranë, Camille Naumah. Në këtë takim u diskutua për programin aktual të mbështetjes së Bankës Botërore dhe projektet e së ardhmes. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Botërore për mbështetjen buxhetore, ndaj projektit të privatizimit të Divizionit të Shpërndarjes në KESH, si dhe asistencën teknike në sigurinë e digave. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për financimin e rrugëve rurale, mbështetjen e projekteve të sigurisë në rast të katastrofave natyrore, si dhe për projektin e reformës së pensioneve. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për zhvillimet fiskale, ecurinë e çmimeve të artikujve ushqimorë, procesin e privatizimit të ndërmarrjeve strategjike “ARMO”, etj, si dhe për vazhdimësinë e reformave në shërbimin civil dhe çështje të tjera prioritare. Ndërkaq, edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti, në një takim Drejtoren e re të Bankës Botërore për Europën Juglindore, Jane Armitage. Kryeparlamentarja ka vlerësuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në projekte madhore e të rëndësishme, si dhe u shpreh bindja se ky bashkëpunim do të vijojë e do të forcohet edhe më tej. Gjithashtu biseda mes znj. Topalli dhe znj. Armitage, u përqendrua në një nga takimet më të rëndësishme që pritet të mbahet në Shqipëri, atë të Rrjetit Rajonal Parlamentar të Bankës Botërore, brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti. Një takim i këtij niveli do të jetë i pari që zhvillohet në vendin tonë, përmes bashkëpunimit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Bankës Botërore. Në këtë takim të nivelit të lartë, pritet të marrë pjesë edhe Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore. Qëllimi i këtij takimi është krijimi i një partneriteti mes Bankës Botërore dhe parlamenteve të vendeve anëtare të kësaj Banke në interes të zhvillimit rajonal. Në këtë konferencë me dimension të gjerë, do të diskutohet konkretisht mbi projekte për zhvillimin ekonomik, energjinë, transportin, infrastrukturën, turizmin por edhe çështje të tjera po aq të rëndësishme si, edukimi apo shëndetësia. Ky takim do të fokusohet edhe në rritjen dhe forcimin e rolit të parlamentit në hartimin e politikave prioritare për vendin, apo në rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies në përdorimin e fondeve. Përmes këtij takimi të përfaqësuesve të lartë të parlamenteve të rajonit, nxitet dialogu shumëpalësh për të promovuar një bashkëpunim më konkret e më të koordinuar mes tyre, por edhe të këtyre vendeve me Bankën Botërore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›