Berisha kërcënon opozitën me kthimin e shtetëzimit të tokave
Eljona Ballhysa
Çështja “Fazlliç” ka shkaktuar debatin e radhës në Parlamentin shqiptar. Deputetët e opozitës kanë hedhur akuza ndaj qeverisë për favorizimin e biznesmenit boshnjak, duke i shitur prona në vende strategjike për zhvillimin e industrisë, siç është Porto-Romano në qytetin e Durrësit. Pikërisht këto akuza kanë sjellë, në minutat e fundit të diskutimit të lirë të deputetëve, kryeministrin Berisha në sallën e Kuvendit. Kreu i Ekzekutivit, nëpërmjet një nervozizmi të dukshëm, të mbuluar me buzëqeshje, ka sfiduar opozitën duke i kërkuar asaj të sjellë në Kuvend ligjin për shtetëzimin. Ai ka bërë të ditur se është gati të shtetëzojë çdo centimetër tokë në Porto-Romano, megjithëse është kundër këtij ligji.
Debati
“Keni ngritur një kauzë të re, sikur qeveria i paskësh shitur Fazlliçit troje në njollat e parqeve industriale. Që ta vërtetoj që s’është e vërtetë, unë ju bëj thirrje që nëse jua mban, sillni ligjin për shtetëzimin. Unë ju premtoj se do të shtetëzoj çdo centimetër tokë. Mos u keqpërdorni si kone, sillni ligjin në jua mban. Po s’jua mban, se ju jeni hajdutët e tokave. Silleni ligjin që të më faktoni mua”, - është shprehur Berisha dje në seancë parlamentare.
Duke e konsideruar opozitën të kapur nga klanet mafioze, kryeministri Berisha u shpreh se kjo është opozita e trillimeve dhe e mashtrimeve, megjithatë do të jetë sovrani ai që do të japë verdiktin. Në këtë drejtim, kryeministri vuri në dukje deklaratat abuzive të opozitës lidhur me vdekjen e biznesmenit Trebicka, si dhe theksoi se të gjitha akuzat u bënë thjesht për qëllime politike. Në përfundim Berisha kërkoi që opozita të sjellë në Kuvend kërkesën për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit.
Një deklaratë e tillë e Berishës ka ardhur pas diskutimit të deputetëve të opozitës. Kështu, socialisti Taulant Balla është shprehur gjatë fjalës së tij se Berisha po kërkon të marrë në mbrojtje Fazlliçin nëpërmjet hetimit ndërkombëtar që kërkon të realizojë. Sipas Ballës, nëse Berisha kërkon të ndihmojë drejtësinë, të paraqitet në prokurori dhe të japë informacion mbi “mikun” e tij. “Nëse Sali Berisha pretendon se është i pastër nga Fazlliçi, ai duhet të heqë dorë nga presioni kundër Prokurorisë. Ai e ndihmon Fazlliçin vetëm duke shkuar vetë në Prokurori dhe të thotë çfarë di mbi këtë njeri, pisllëqet e tij dhe nëse i ka marrë apo i ka dhënë atij”, - është shprehur Balla, i cili e ka cilësuar nismën më të fundit të maxhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, si një përpjekje e hapur për të shkarkuar kryeprokuroren Ina Rama.
Ndërsa deputetja Arta Dade është shprehur se lidhjet e qeverisë me Damir Fazlliçin po dëmtojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. “Damir Fazlliç dhe rrethi i interesave të dukshme dhe të padukshme që ai përfaqëson po thellon pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj qeverisë së tyre, por vazhdon edhe të dëmtojë pozitën e vendit dhe imazhin e tij ndërkombëtar. Është hipokrite dhe e papranueshme të tundësh në ajër raporte dhe fraza apo paragrafë ku lavdërohet puna e kësaj qeverie dhe nga ana tjetër t’i japësh formë skemave korruptive duke përfshirë në këtë aktivitet “miq”, partnerë politikë apo familjarë”,- është shprehur Dade. Ndërsa kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga hetimi ndërkombëtar, por të tregojë të vërtetën e kontratës së PD-së me kompaninë amerikane “BGR” dhe të dëshmojë me tragjedinë e Gërdecit dhe për rrugën “Durrës-Kukës”, si dhe të lexojë mesazhet e ndërkombëtarëve. “Përpara se të kërkojë hetim ndërkombëtar për mikun e tij Fazlliç, kryeministri duhet të tregojë të vërtetën e kontratës me ‘BGR’, të dëshmojë për tragjedinë e Gërdecit, për abuzimin skandaloz në rrugën ‘Durrës-Kukës’ dhe për të gjitha gjynahet e kësaj qeverie, që nga kontrabanda e karburanteve deri te trafiku i armëve”, - është shprehur Leskaj. Këto deklarata kanë sjellë reagimin e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili i cilësoi akuzat e opozitës një politikë të vjetër. “Akuzat tuaja në sallën e Parlamentit janë të pavërteta, të ngritura mbi shpifje dhe trillime dhe jo mbi prova e fakte. Ky është stili i ri i politikës së vjetër të të bërit opozitë, politikë që po instrumentalizon edhe organin e Prokurorisë, që është një institucion i pavarur”, - është shprehur Alibeaj.
17 Tetor 2008