Topalli “nxjerr inatin” ndaj Ndokës duke mos i dhënë fjalën në Kuvend
Përplasja midis kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka dalë hapur gjatë seancës së djeshme parlamentare. Pas fjalës së mbajtur nga kryeministri Berisha, Topalli e ka deklaruar të mbyllur diskutimin për pikën e parë të rendit të ditës, që është diskutimi me temë të lirë të deputetëve. Por kreu i PDK-së, Ndoka, është ngritur për të mbajtur fjalimin e tij, pasi e kishte regjistruar emrin kohë më parë. Por Topalli ka fikur mikrofonin duke i kërkuar të ulet. “Ulu. Nuk je më i mirë se këta të tjerët që kanë regjistruar emrat këtu. Unë të nxjerr jashtë që tani”, - i është drejtuar Topalli Ndokës. Kjo gjuhë e përdorur nga kryetarja e Kuvendit ka sjellë dhe reagimin e opozitës, të cilët i kanë kujtuar Topallit se Ndoka ka qenë ministër i qeverisë së PD-së dhe nuk mund t’i drejtohet me atë gjuhë. Këmbëngulja e Ndokës për të folur ka sjellë ndërprerjen e seancës nga kryetarja e Topalli. Gjatë një njoftimi për mediat Partia Demokristiane ka njoftuar se Ndoka ishte regjistruar që ditën e hënë si i pari në listën e deputetëve që do të diskutonin në seancën e djeshme plenare, por kryetarja Topalli, “pasi ka marrë vesh se Ndoka do të flasë për të drejtat e mohuara të ish-të dënuarve politikë, ka shkelur në flagrancë rregulloren duke refuzuar t’i japë fjalën kreut të PDK-së”.
17 Tetor 2008