E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kerkon konsensus per reformat, Rame ankohet te nderkombetaret

22/06/2010

Nise letra e radhës e lidershipit socialist për partnerët evropianë

Rama i kërkon Daul dhe Shulz të rimarrin negociatat

Oli Xhilaga

Partia Socialiste u rikujtoi dhe një herë tjetër partnerëve evropianë gatishmërinë e tyre në zgjidhjen e krizës politike në vend, mesazh që iu përcoll përmes një letre drejtuesve dy grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian nga vetë kreu socialist Edi Rama. Por nga ana tjetër, duke iu referuar faktit se BE-ja mbylli negociatat mes saj dhe forcave kryesore në vendin tonë për zhbllokimin e ngërçit politik, lidershipi socialist kërkon rinisjen e tyre. Madje, në këtë letër Rama nuk harroi të radhiste mes rreshtat dhe pasojat që do të kishte për vendin mosgjetja e gjuhës së përbashkët nga ana e klasës politike për vendin tonë.

Letra

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u është drejtuar dje me një letër presidentit të grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian, Joseph Daul dhe presidentit të grupit të PES-së në Parlamentin Evropian, Martin Shulz. Në këtë tekst Rama u përçoi dy personaliteteve mesazhe falënderimi për gjithë angazhimin e ndërmarrë në zgjidhjen e krizës politike në vendin tonë. Por përpos falënderimeve Rama shprehu dhe keqardhje për përfundimin e negociatave. “Fort të nderuar zoti Shulz dhe zoti Daul. Lejomëni tju falënderoj me gjithë zemër për përfshirjen tuaj bujare në përpjekjen e vështirë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Keqardhja ime për përfundimin e kësaj përpjekjeje, e cila dëshmoi ndjeshmërinë tuaj të veçantë ndaj Shqipërisë në rrugën e demokracisë e të integrimit, është sinqerisht e madhe”, - vlerësoi Rama në letrën e tij. Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se “nuk është e vogël as shpresa se ju nuk do të tërhiqeni nga kjo përpjekje dhe angazhimi e eksperienca juaj do të mbeten në shërbim të zgjidhjes së kërkuar me ngulm prej familjes evropiane të dëshiruar përditë e më shumë prej opozitës shqiptare dhe kaq shumë të domosdoshme për vendin tonë e qytetarët e tij në këtë moment delikat.”

Qëndrimi

“Mesazhi që ju na përcollët drejtpërdrejtë në Strasburg për pasojat e moszgjidhjes së krizës mbi Shqipërinë ishte i qartë. Falë deklaratës suaj të përbashkët para pak ditësh, është e qartë për të gjithë se për sa kohë nuk ka një zgjidhje, të cilën palët duhet ta gjejnë për të mirën e vendit të tyre, nuk ka as përparim të proceseve të integrimit tonë evropian, pavarësisht dëshirës së mirë të miqve e partnerëve të Shqipërisë”, - shkruante Rama në letrën drejtuar Shilz dhe Daul.

Vlerësimi

“Nuk jam në gjendje të them se sa e dëshiron zgjidhjen qeveria e Shqipërisë, por, pa dashur ta paragjykoj atë, nuk e fsheh çudinë e shqetësimin tim përditë e më të madh për qëndrimin e saj tërësisht të pandryshuar qysh nga dita e parë. Çuditëm sepse besoj se një qeveri e zgjedhur për të udhëhequr proceset e integrimit duhet të ishte natyrshëm forca më e angazhuar për të dalë nga rrethi vicioz i një krize si kjo, që thellohet përditë. Shqetësohem sepse kjo krizë, të cilën kryeministri i vendit e mohon se ekziston, madje duke akuzuar çdo ditë opozitën si manipulatore të realitetit në zyrat e Perëndimit, në të vërtetë po dobëson përditë demokracinë dhe ekonominë e vendit. Lejomëni që, duke ju shprehur mirënjohjen edhe për kontributin e tyre të çmuar, tJu nënvizoj se opozita ka lëvizur cilësisht në kërkim të zgjidhjes duke shkuar edhe përtej ofertës që ne vetë bëmë në darkën e Strasburgut”

Kërkesa

Shqiptarëve u duhet medoemos një përpjekje e posaçme, e të gjitha forcave politike, për të kapërcyer hendekun e hapur mes tyre dhe Evropës, duke i hapur rrugë transparencës si dhe një sërë reformash jetike për demokratizimin, modernizimin, integrimin. Kjo letër falënderimi e mirënjohjeje për interesimin tuaj të veçantë ndaj Shqipërisë është në të njëjtën kohë edhe një lutje për të mos hequr dorë nga nisma juaj shpresëdhënëse pavarësisht përfundimit negativ të përpjekjes së parë. Duke Ju siguruar për të gjithë gatishmërinë time e garantuar të gjithë vullnetin e opozitës shqiptare për zgjidhjen e kësaj krize me dialog e mirëkuptim, lejomëni, të nderuar zotërinj, tju shpreh konsideratat e mia më të larta e uroj të gjithë suksesin e dëshiruar në misionin Tuaj shumë të rëndësishëm të drejtimit të dy grupeve të mëdha të Parlamentit Evropian në një kohë sfidash kaq të mëdha për Evropën.

Deklarata e Beqjes

“Gënjeshtrat e Berishës të rrezikshme për ekonominë”

Akuzat e deputetëve socialistë në adresë të kreut të ekzekutivit vijuan të jenë prezente edhe gjatë ditës së djeshme. Deputeti i PS-së Ilir Beqja gjatë një deklarate për shtyp listoi një sërë gënjeshtrash të ardhura nga kryeministri Berisha. Kështu, duke pasur si kryefjalë epitetin gënjeshtar për këtë të fundit, Beqja vlerësoi se “Sali Berisha nën panikun e krizës politike në të cilën është vendi si pasojë e mungesës së transparencës së krimit elektoral të 28 qershorit 2009, vazhdoi të gënjejë për situatën ekonomike të Shqipërisë”. Sipas tij, Berisha ka hyrë në garë me gënjeshtrën. “Gënjeu për borxhin publik. Gënjeu për numrin e njerëzve që përfitojnë nga rritja e pagave dhe pensioneve. Gënjeu për pagën mesatare prej 500 dollarësh. Gënjeu për përgjegjësinë e rritjes së taksave të reklamës. Gënjeu në mënyrë të përsëritur edhe për raportin e Drejtorisë e Përgjithshme për Çështje Ekonomike dhe Financiare të Komisionit Evropian. Në atë raport nuk ka asgjë nga çfarë thotë Sali Berisha. Nuk thuhet asnjë fjalë se Shqipëria është ndër 10 më të mirët në Evropë”, - u shpreh deputeti socialist. Por në gjykimin e tij “këto gënjeshtra janë të rrezikshme për ekonominë shqiptare, për sipërmarrësit shqiptarë, për buxhetet e familjeve shqiptare”.

Mazhoranca i bën thirrje opozitës të votojë projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar

Votimi në Parlament, Beriosha kërkon konsensus per ligje te rendesuishme

Kryeministri Berisha thekson se është i gatshëm të pranojë mendimet e socialistëve

Ergys GJENÇAJ

Partia Demokratike kërkon konsensusin nga opozita për votimin në Parlament të projektligjeve që në bazë të Kushtetutës kërkojnë shumicë të cilësuar votash, thënë ndryshe, të paktën 84 vota. Koalicioni politik që qeveris vendit pas zgjedhjeve politike të fundqershorit 2009, i përbërë nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane, nuk mund të mbledhë votat e nevojshme. Kjo nuk mund të arrihet sikur mbështetjen ta ofrojnë edhe dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Nismat ligjore, të cilat prej kohësh rrinë në tavolinat e punës së deputetëve në Kuvend, nuk mund të votohen, pasi opozita ka kushtëzuar konsensusin e saj me pranimin nga ana e mazhorancës e kërkesave të saj për të ashtuquajturën “transparencë të zgjedhjeve të fundit politike”. Kështu, kur kanë mbetur edhe pak javë nga përfundimi i sesionit parlamentar, opozita shqiptare ka paralajmëruar refuzimin prej saj të dhënies së votës për projektligje që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, mes të cilave edhe projektin për Gjykatën Administrative, ndryshimet në Kodin Civil dhe Penal, projektligjin “Për faljen”, në këmbim të një marrëveshjeje politike. Ky ngërç ka shkaktuar shpeshherë debate mes zyrtarëve më të lartë të dy partive kryesore politike, pra PD-së dhe PS-së. Socialistët shprehen se nuk mund të jenë garnitura e mazhorancës, ndërkohë që demokratët theksojnë se nismat ligjore janë të domosdoshme në funksion të reformave integruese të vendit.

Kryeministri Sali Berisha, duke u ndalur te projektligji për Gjykatën Administrative, ka deklaruar gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar demokrat se mazhoranca i ofron opozitës kompromis. Sipas tij, opozita mund të paraqesë çdo amendim që ajo e vlerëson si në nevojshëm, por duhet respektuar konsensusi i mëparshëm, sipas të cilit gjykatësit duhet të jenë nga Shkolla e Magjistraturës. Gjithashtu kreu i qeverisë ka risjellë në vëmendje edhe nismën ligjore që mundëson heqjen e imunitetit të deputetëve dhe të një grupi të caktuar zyrtarësh të lartë. Berisha ka renditur një tjetër nismë ligjore, atë për krijimin e Policisë Gjyqësore. Në këndvështrimin e tij nisma ka një rëndësi të madhe në kuadër të zbatimit më të mirë të ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar apo të ligjit antimafie.

Gjykata Administrative

Projektligji që ka gati një vit që pret votimin në seancë parlamentare kërkon patjetër mbështetjen nga të paktën 84 deputetë. Mazhoranca i ka bërë disa herë thirrje opozitës të bëhet pjesë e votimit. Kryeministri Berisha tha dje se opozita mund të ndërmarrë të gjitha amendimet mbi draftin e propozuara, por me kushtin që “të respektojnë për këtë gjykatë nenin që bashkërisht votuam për sistemin tërësor gjyqësor, nen sipas të cilit nuk mund të futen më në sistemin e drejtësisë flukse nga politika apo të tjerë përveçse nga magjistratura”.

Ligji për faljet dhe ndryshimet në kode

Duke marrë në konsideratë faktin se mazhoranca aktuale nuk zotëron 84 vota, është e nevojshme mbështetja që grupi parlamentar i Partisë Socialiste të japë për kalimin në Parlament të disa ndryshimeve në ligjin “Për faljen”. Gjithashtu projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998, «Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë», i ndryshuar”, projektligji “Për disa ndryshime në ligjin «Kodi Penal i Republikës së Shqipëris뻔, si dhe projektligji “Për disa ndryshime në ligjin «Kodi Civil i Republikës së Shqipëris뻔 kërkojnë 84 vota.

Heqja e imunitetit

Nisma disavjeçare e mazhorancës për heqjen e imunitetit të deputetëve është kundërshtuar nga opozita. Domosdoshmëria për 84 vota ka shtyrë kryeministrin Berisha që ti kërkojë sërish votat opozitës. “Kam shpresë se opozita do të shqyrtojë qëndrimin. Thirrja ime është të lëmë inatet mënjanë dhe të heqim imunitetet”, - tha ai. Shefi i ekzekutivi nënvizoi se Komisioni i Venecies ka ofruar ekspertizë mbi mekanizmin e heqjes së imunitetit. Berisha tha se opozita nuk duhet të justifikojë mbajtjen e imunitetit për qeveritarët dhe pushtetarët.

Projektligji “Për Policinë Gjyqësore”

Mazhoranca e konsideron shumë të rëndësishëm miratimin e projektligjit “për Policinë Gjyqësore”. Edhe për këtë kreu i qeverisë ka nënvizuar konsensusin e nevojshëm me opozitën. “Në kuadër të reformës së sistemit të drejtësisë, vjen këto ditë te ju, dhe ky është ligji i Policisë Gjyqësore, i cili ka një rëndësi të madhe në kuadër të zbatimit më të mirë të ligjit të konfiskimit të pasurive të krimit të organizuar apo të ligjit antimafie. Ligji që ju keni votuar i bën një nder të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve, është një dëshmi e shkëlqyer e vullnetit tuaj të hekurt për të goditur dhe shkatërruar krimin e organizuar në këtë vend”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›