E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kërkon nga bankat financim për bujqësinë

“Bankat në Shqipëri dhe ekonomia shqiptare natyrisht ndjeu stuhinë  e krizës botërore, por u mbajtën më mirë se në të gjitha vendet e tjera të kontinentit. Dhe kjo, jo për shkak të një ekonomie centraliste, përkundrazi  të nje ekonomie të vërtetë tregu e bazuar në parimet më të shëndosha të tregut. Ndaj dhe kemi një arsye të jemi të gjithë së bashku krenarë për situatën e financave, bankave dhe ekonomisë shqiptare.”, theksoi Berisha gjatë pjesëmarrjes së tij në një ceremoni për 10 vjetorin e krijimit të një banke private greke në vendin tonë.

Kryeministri ia dedikoi rritjen prej 59 % të investimeve të huaja në Shqipëri, si dhe rritjen ekonomike prej 5,3 % në gjashtëmujorin e parë, kontributit të jashtëzakonshëm të të gjitha bankave në sistemin bankar të Shqipërisë.

Duke kërkuar prej bankës Emporiki mundësinë e shtrirjes së aktivitetit të saj  në  sektorin e bujqësisë Kryeministri garantoi të pranishmit se qeveria shqiptare është e vendosur të përmirësojë dhe konsolidojë kuadrin më të mirë ligjor për veprimtarinë e bankave.

“Projekte të mëdha qeveria shqiptare po ndërmerr këto 4 vite në bujqësi. Njëri prej tyre është projekti i 20 milion rrënjëve ullinj. Angazhimi juaj për të ndihmuar në këtë sektor është shpresë madhe për përjetësinë e Emporikit. Ulliri ëhstë druri i përjetësisë. Qeveria është e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me ju që të garantojë plotësisht kreditë tuaja dhe mbështetjen që ju do mund ti jepni këtij sektori jetik për vendin tonë", tha gjithashtu kryeministri i vendit.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›