Berisha kërkon zgjerimin e debatit për reformat edhe me akademikët, shoqërinë civile dhe grupet e interesit
Reformat të cilat janë duke u ndërmarrë nga qeveria, duhet të shdërrohen me çdo kusht në objekt diskutimi të formave më të ndryshme. Një apel të tillë, kryeministri Berisha e ka bërë gjatë fjalës së tij mbajtur në mbledhjen e qeverisë, për të cilën ka deklaruar se është “qeveri e një dialogu intensiv”. Sipas tij, një sërë reformash të rëndësishme janë në proces e sipër dhe për këtë, nevojitet patjetër hapja e debateve dhe dialogut, duke siguruar në këtë mënyrë qasjen e duhur në realizimin e tyre. “Bëhet fjalë për reforma të cilat duhet të vijnë si rezultat i një debati të gjerë e për këtë, duhet që të merret edhe mendimi i qytetarëve”, tha ndër të tjera Berisha. Më pas, shtoi se konsultat duhet të përfshijnë edhe qarqet akademike të vendit. “Nuk duhet të shkëputemi nga vështrimi kritik i mendimit akademik”, tha ai në mënyrë konkrete lidhur me një fakt të tillë. Në fund, Berisha ka shtuar se duhet të hapet debat me shoqërinë civile, biznesin, apo grupet e interesit ndaj reformave të ndryshme, “sepse në këtë mënyrë do të kemi një zbatim dhe implementim më të sigurt të tyre”.
Zhvillohet taske-forca për Reformën e Inspektimit
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, task forca për Reformën e Inspektimit zhvilloi dje takimin e radhës ku u diskutua për praktika dhe procedura të harmonizuara, konsolidim sa më të gjerë tematik të Inspektorateve, si dhe për një centralizim, si domosdoshmëri për suksesin e reformës. Modeli i diskutuar dhe aprovuar më pas nga task forca, ka në bazë implementimin e praktikës më të mirë evropiane, çka do të mundësojë përmirësimin e klimës së biznesit në vend, luftën kundër informalitetit e korrupsionit, si dhe rritjen e efikasitetit të inspektimeve në të gjitha fushat. çlirimi i biznesit nga barra e inspektimeve, rritja e transparencës në raportin e shtetit me ta, garantimi i cilësisë së produkteve e shërbimeve në treg, janë gjithashtu pasoja të menjëhershme të kësaj reforme. Në fillim të këtij takimi, Kryeministri Berisha theksoi se “sistemi i inspektimit duhet të pësojë një reformë të thellë dhe duhet të dalë nga modeli aktual, i faktuar si joefiçent”. Kryeministri sqaroi se nga grupi i ekspertëve të kontraktuar për të asistuar reformën është sugjeruar një kombinim i modelit 3, që do të thotë konsolidim i inspektorateve, me modelin 4, që do të thotë përqendrim e drejtim nga një qendër inspektimi, hap që natyrisht shënon një reformim të thellë të sistemit. Pas prezantimit të draft modelit që mund të ndjekë Shqipëria, duke iu referuar të gjitha vendeve (si Sllovenia, Kroacia, Hollanda, Bosnja, Estonia, Suedia, etj.) që kanë adaptuar një ligj të unifikuar horizontal, për të mbështetur reformën e inspektimit, pavarësisht modelit që zbatojnë, u kërkuar dhe u ra dakord për hartimin e këtij ligji horizontal edhe për Shqipërinë. Ky ligj do të mundësojë njehsimin e procedurave, rregullave bazë, si dhe konsolidimin e inspektorateve (siç e kërkojnë dhe standardet e BE-së), do të përcaktojë saktë principet dhe qëllimin e inspektimit, procedurat dhe metodologjinë, penalitetet, apelimin, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e inspektorëve, llojet e inspektimeve e koordinimi midis tyre, si dhe kohëzgjatjen e inspektimit. Si një çështje tejet të rëndësishme Kryeministri shtroi dhe krijimin e sistemit E-Inspection, që mundëson krijimin e një data base të inspektimeve, të përqendruar në inspektoratin qendror dhe të lidhur me link me data base të trupave të tjerë si dogana, taksa, QKL, QKR etj. “Duhet të kemi ambicien e plotë për instalimin e një sistemi të tillë, i cili është kusht themelor për të përmbushur detyrimet e tjera, për të qenë sa më transparentë si dhe për të luftuar fort korrupsionin”- theksoi Kryeministri. Ky sistem garanton informacion në kohe reale për tërë proceset që kanë të bëjnë me garantimin e cilësisë së shërbimeve e mallrave në treg apo para daljes në të, të mbrojë konsumatorët dhe biznesin, si dhe të pasqyrojë sjelljen e institucioneve inspektuese në sistem gjatë ushtrimit të detyrës.
Në fund të takimit Kryeministri kërkoi hartimin e një plan veprimi të saktë, që do të diskutohet në takimin e rradhës së task forcës për Reformën e Inspektimit.
...