PD zbardh përrallën edviniste për Rushdijen, i kërkon kryesocialistit të pranojë çdo vendim të Kolegjit
Astrit Patozi deklaron se humbja e mandatit të 7-të të saj në Qarkun Fier, me vendim të gjykatave, nuk mund të sillte kontestimin e verdiktit të një prej pushteteve më jetike të sistemit demokratik
Partia Demokratike i përsërit edhe njëherë thirrjen kryesocialistit në detyrë Edvin Rama, që të pranojë verdiktin e gjykatave, për zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti demokrat dhe kreu i grupit parlamentar, Astrit Patozi, u shpreh se “ashtu siç respektoi vendimin e tyre, për votat e fshatit Ruzhdie, nga ku PS fitoi një mandat të padrejtë, Rama duhet të qëndrojë në të njëjtën linjë, për të pranuar çdo vendim të gjykatave që lidhet me procesin e zgjedhjeve. Kreu i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi, duke reaguar sot ndaj keqinformimeve që Rama po bën ndaj fshatit të famshëm të Ruzhdies, ku ai fitoi një mandat padrejtësisht, deklaroi se komisionerët socialistë braktisën procesin që në orët e para të mëngjesit të 28 qershorit, duke marrë me vete edhe vulën e KQZ-së. Sipas Patozit, vendimi i Kolegjit Zgjedhor ishte që t’i shpallte të pavlefshme votat e Ruzhdies, pasi mungonte njëra nga vulat e përfaqësuesve të dy partive të mëdha politike, pra, duke mos vendosur përsëritjen e zgjedhjeve në këtë komunë. Në këtë kuadër Partia Demokratike humbi mandatin e 7-të të saj në Qarkun Fier, por nuk kontestoi vendimin e gjykatave. Ndaj edhe PD, i bën thirrje kryesocialistit që siç pranoi kutinë e Ruzhdies, të pranojë çdo vendim të gjykatave. “Rama po thërret “fitore” duke përdorur kutinë e Ruzhdies. U bënë disa ditë me radhë që kryetari i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama, po thërret EUREKA për njërën prej 4753 kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, atë të Rushdies së famshme, duke keqpërdorur dhe keqinformuar për këtë mediat e Tiranës. Unë sot jam para jush për të sqaruar një herë e mirë publikun, për sa më poshtë vijon: Në fshatin Rushdie, pasi votimi kishte nisur, tre komisionerë socialistë u larguan nga qendra e tyre, për të mos u kthyer më atje, duke marrë me vete edhe njërën nga vulat. Gjykata e Apelit, apo Kolegji Zgjedhor, pasi mori në shqyrtim rastin, nuk vendosi përsëritjen e votimit në Rushdie, por i deklaroi të pavlefshme 425 votat e gjetura në kuti, që në fakt përbënin 90 përqind të numrit të atyre që kishin votuar në atë fshat. Dhe siç është bërë e njohur tashmë, ky vendim solli për pasojë humbjen e një mandati të Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit. Pas kësaj prokuroria dhe gjykatat e vendit, bazuar në pretendimet e forcave politike, kanë marrë në shqyrtim dhe në ndjekje penale përgjegjësit për probemet e krijuara në atë qendër votimi”, u shpreh Patozi, duke shtuar se Partia Demokratike, e konsideron simetrinë bipartizane në komisionet zgjedhore si kushtin kushtin vendimtar për integritetin e procesit. “Ka mbështetur dhe mbështet organet gjyqësore dhe prokurorinë në nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive për Rushdien dhe për çdo rast tjetër, mbi bazë e fakteve dhe provave të paraqitura nga subjektet poltike dhe administrata zgjedhore. Dhe në këtë këndvështrim parimor, e ftojmë zotin Rama, që ashtu siç e pranoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Rushdien, nëpërmjet të cilit përfitoi një mandat, të pranojë dhe respektojë edhe çdo vendim tjetër të tij”, deklaroi deputeti demokrat, Astrit Patozi.
...