E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresat e një kauze që mban emrin e Gramoz Ruçit

Selia rozë ka rikonfirmuar kauzën e palëkundshmërisë nga paraardhësit e vet, pikërisht me liderin e fundit të nomenklaturës, Gramoz Ruçin, i cili u votua dje (unanimisht!!!) si kryetari i grupit parlamentar.
Pasi përfundoi kriza artificiale, ku edhe ndërkombëtarët rikonfirmuan jo vetëm mbështetjen për maxhorancën, por edhe kërkuan ngritjen e një Instituti për të rikthyer në shtëpinë e fundit viktimat e komunizmit, socialistët ofrojnë ironikisht ideatorin e masakrës së 2 Prillit, prej së cilës humbën jetën në 1991-in 4 heronj të demokracisë.
Frikshëm apo turpshëm, kjo është panorama e lajmeve që ofrohen nga selia rozë, e cila aspak nuk po distancohet nga e kaluara e vet, edhe pse varrezat masive të shkaktuara prej saj janë këmbanat e turpit që bien në këto kohë historike për të ardhmen e përbashkët.
Po ndërtojmë një demokraci mbi shpirtra që rënkojnë sepse nuk prehen të qetë, që nuk e kanë marrë amanetin e fundit nga familjarët, apo nuk kanë për t’i gjetur dot më kurrë. Dhe konferencat monotone për të harruar të kaluarën, duket se nuk janë të mjaftueshme për të parë me syze optike deputetët trashëgimtarë të ish-Bllokut më famëkeq të Lindjes.
Paralelisht me Kosovën ku diplomacia ndërkombëtare kërkon stabilitetin e vonuar prej sabotatorëve dhe pushtuesve serbë, pjellat e Dushanit dhe të Miladinit unanimisht votojnë pikërisht atë të cilit historia i ka borxh vetëm turpin mbi masakrat dhe djegien e Shkodrës.
Madje, edhe çështja e çamërisë kërkohet të lexohet me kujdes nga diplomatët anglezë, ndërsa socialistët vazhdojnë të destabilizojnë demokracinë e vonuar dhe të brishtë. Situata aspak të favorshme për një komb që jeton në një të katërtën e sipërfaqes, e ku Kosova kërkon të ringrihet pas plagëve të 99, shteti Amë, i djegur po me tre gishtat e simbolit serb, ishte djeguar dhe lëngonte prej ’97-s, duke reflektuar njolla të errëta mbi të ardhmen dhe historinë, akoma të pafavorshme për kombin që lëngon nga sindromat dhe simbiozat e sllavizmit.
Shqipëria, vendi i vetëm në botë i rrethuar po nga shtetasit e tij, por që edhe i duhet të përballet përsëri dhe legalisht me pasardhësit e socializmit artificial me qëllimin e vetëm, shkatërrimin e tij dhe shfrytëzimin nga një grusht bllokmenësh, të cilët kanë suksesin e radhës me fëmijët e tyre në parlamentin që ka në dorë misionin më historik, atë të futjes në Evropën e bashkuar.
Dhe historia do të rishkruajë një tjetër turp për socialistët që vrapojnë të turpërojnë pikërisht të ardhmen dhe kombin e tyre, por jo, ajo tashmë është konsoliduar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›