E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, kryeministri i varfër i shqiptarëve

TIRANË- Kryeministri Berisha ka listuar veten e tij në listën e shqiptarëve që jetojnë me shpenzime minimale, edhe pse, përveç aferave të ndryshme të përfolura, ka një rrogë për tu pasur zili. Në deklarimin zyrtar të pasurisë, të shkruar dhe firmosur nga vetë ai shënohet se ndryshimet e llogarive bankare janë minimale. Të vetmet llogari bankare që kanë "lëvizur" janë ato në emër të të shoqes, Liri Berisha. Por edhe ato kanë lëvizur me hapa të vegjël, njëra është rritur me 10 mijë lekë ndërsa tjetra me 406 mijë lekë. Ndërsa llogaritë në emër të kryeministrit kanë pasur disa shtesa dhe pakësime qesharake. Kështu, llogaria bankare e kryeministrit në një nga bankat e nivelit të dytë, në fund të vitit, ka shënuar një rritje me 13 lekë. Një tjetër është pakësuar me 300 lekë. Këto lëvizje bankare prej varfanjaku, e vendosin kryeministrin Berisha në listën e shtresave të varfra shqiptare, madje për t'u përfshirë në skemën e kafshatës.

Sipas deklarimit zyrtar, Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij kanë nëntë llogari bankare. Për një vit në to janë shtuar 546.339 lekë të reja. Ndërkohë ato janë pakësuar me 2576 lekë të reja. Në deklarimin e tij zyrtar, Sali Berisha ka shkruar: Të ardhurat e mia janë nga paga si kryeministër 2.149.529 lekë të reja; nga shpërblimet në kryeministri 9.000 lekë të reja dhe të ardhurat nga paga në qendrën shëndetësore nr.4 të bashkëshortes Liri Berisha në shumën 576.947 lekë të reja". Me këtë fjali përmbyllet edhe deklarimi modest i kryeministrit shqiptar, i cili ka mundur që të kursejë vetëm 540 mijë lekë gjatë një viti.

Llogaria 1 shtohet me 10.074 lekë
Llogaria 2 shtohet me 13 lekë
Llogaria 3 pakësohet me 1.500 lekë
Llogaria 4 shtohet me 5.824 lekë
Llogaria 5 shtohet me 406.735 lekë
Llogaria 6 pakësohet me 300 lekë
Llogaria 7 shtohet me 897 lekë
Llogaria 8 shtohet me 122.796 lekë
Llogaria 9 pakësohet me 776 lekë

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›