E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për femrat në pishina, plagoset studenti

I dëmtuari student i Akademisë "Vojo Kushi" u qëllua me armë zjarri nga një person që dyshohet të jetë emigrant

TIRANË- Një sherr i nisur brenda në kompleksin e pishinave pranë Liqenit Artificial, ka përfunduar me plagosjen rëndë të një 23- vjeçari me banim në Tiranë. Mariglen Cani, student në Akademinë e Sporteve "Vojo Kushi", në Tiranë është plagosur me armën tip pistoletë, në një atentat, dje rreth orës 17:30, në dalje të kompleksit nga një person i cili nuk është identifikuar nga policia, duke u larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë tip "Land Rover", me targa të huaja. Cani, ka marrë një plumb në njërën këmbë dhe menjëherë është dërguar në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak se ka humbur shumë gjak nga plumbi që ka marrë. Nga ndërhyrja kirurgjikale që iu është bërë të riut mësohet se ai ka pësuar dëmtime serioze në këmbën që iu është përshkuar nga plumbi.

Nga të dhënat paraprake në lidhje me sherrin ku mbeti i plagosur studenti i Akademisë së Sporteve, mësohet se konflikti ka nisur brenda ambienteve të pishinës, ku dy nga protagonistët e ngjarjes, kanë debatuar ashpër midis tyre. Më pas, sherri ka nisur përsëri edhe në momentet që kanë qenë duke dalë të dy nga kompleksi dhe njëri prej tyre ka lajmëruar shokun e tij për sherrin në fjalë. Pikërisht në momentet që ka ardhur shoku i personit që ishte konfliktuar me të plagosurin, sherri ka degraduar në përdorimin e pistoletës. Personi që është thirrur,që dyshohet të jetë rreth moshës 40 vjeç, mendohet të ketë qëlluar në drejtim të studentit të Akademisë së Sporteve, duke e lënë të plagosur rëndë.

Sapo kanë qëlluar në drejtim të Mariglen Canit, autori i plagosjes është larguar bashkë me personin tjetër që e shoqëronte me një makinë me targa të huaja tip "Land Rover". Personat që kanë parë konfliktin midis të plagosurit dhe të autorit të ngjarjes, kanë lajmëruar policinë, e cila mbërriti në vendngjarje për të zbardhur ngjarjen. Ndërkohë që efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 2 janë vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes, i cili ka mundur të largohet me shpejtësi. Ende nuk dihen shkaqet e plagosjes, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes si dhe identifikimin e autorëve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›