Berisha kthehet nga Kabuli, vizitoi trupat shqiptare atje

Kryeministri Berisha është kthyer nga një vizitë që i bëri trupave të Forcave të Armatosura Shqiptare në Afganistan, që operojnë në kuadër të misionit të NATO-s, ISAF.
Kryeministri Berisha u takua me ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Shtabin e ISAF dhe komandën rajonale në Kabul. Kryeministri vizitoi Bazën e Përparuar Operacionale në Spin Buldok në Kandahar, ku është vendosur edhe kontingjenti i Forcave Speciale Shqiptare “Eagle 4” dhe pati një takim shumë të përzemërt me efektivin e kompanisë “Eagle 4”. Në ditën e dytë, Kryeministri u takua me efektivin e kontingjentit të Forcave të Armatosura Shqiptare në Kamp Arena, në Herat.
Kryeministri u shprehu ushtarakëve tanë mirënjohjen më të thellë të tij, të qeverisë dhe popullit shqiptar për përfaqësimin me dinjitet të lartë të Shqipërisë, në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në mbështetje të popullit afgan.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha zhvilloi takime edhe përfaqësuesin civil më të lartë të NATO-s në Shtabin e ISAF, ambasadorin Simon Gass, me Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Asistencës, njëkohësisht Komandant i Forcave Amerikane në Afganistan, Gjeneral John Allen, komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore Gjeneral Brigade Luigi Chapperini, Zëvendëskomandantin e Komandës Rajonale Jugore Gjeneral Majorin Javier Cabeza.