E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kujton se është në parlament, flet në OKB dyfishin e kohës së lejuar

Në një sallë të boshatisur, kryeministri Sali Berisha foli për më shumë se 30 minuta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse rregullorja e kërkon që të flasësh 15 minuta, Berisha foli sa dyfishin e kësaj kohe, edhe pse në fakt nuk arriti të thyejë rekordin e sivjetëm, që mbahet nga kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, që foli përpara sallës për 39 minuta. Berisha foli në OKB për çështje të tilla që nga mbjellja e ullinjve e deri tek pavarësia e Kosovës. Me një anglishte të çalë, disa herë Berisha tentoi të dilte nga fjalimi i shkruar për të shpërthyer me zjarrin e tij, por anglishtja nuk ia lejoi. Një gjë të tillë deshi ta bënte kur iu përgjigj akuzave që bëhen nga serbët për trafik të organeve nga shqiptarët. Berisha i quajti shpikje, pasi tha se ka lexuar raportet që janë hartuar nga vetë serbët dhe nuk përmendet askund fjala trafikim. Në fund të fjalës së tij, Berisha iu drejtua miqve palestinezë. Ai tha se përkrah ekzistencën e një shteti palestinez, por deklaroi se nuk duhen ndërmarrë veprime unilaterale. Ndaj ai u sugjeroi palestinezëve që të dëgjojnë deklaratën e Katërshes për këtë çështje.

Fjalimi

Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij, mbajtur në Asamblenë e OKB-së, ka deklaruar se Shqipëria, përfaqësohet si një vend, që 20 vjet më parë përmbysi diktaturën hoxhiste, më të egër që Europa kishte njohur më parë.

Dua të përshëndes përzemërsisht përfaqësuesit e Egjiptit, Tunizisë, Libisë, Sudanit të Jugut dhe Bregut të Fildishtë, të cilët ndodhen sot në këtë sallë dhe përulem për nderimin më të thellë para mijëra e mijëra qytetarëve të këtyre vendeve, që me guxim e burrëri në kufijtë e legjendës ranë për të fituar pavdekësinë, çliruan vendet e tyre nga tiranitë mizore, i bënë ato, kontinentin afrikan dhe mbarë botën më të drejtë, më të lirë dhe përcollën për të gjithë qytetarët e shtypur të planetit mesazhin: Mos kini frikë për të luftuar lirinë dhe dinjitetin tuaj, u shpreh gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha.

Ndër të tjera ai theksoi se Shqipëria sot renditet ndër vendet me të ardhura të mesme, të larta dhe se ish vendi i hiperkolektivizimit total, është sot vendi me sektorin publik më të vogël në Evropë, në të cilin 84% e GDP buron nga sektori privat.

Ish vendi i lirive e të drejtave të ndaluara me kushtetutë, është sot vendi i demokracisë, shtetit ligjor, fjalës së lirë, zgjedhjeve të lira, pluralizmit politik dhe fetar, tolerancës fetare të shkëlqyer. Ish vendi i izolimit më të thellë të kontinentit dhe planetit është sot anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë, si dhe punon me vendosmëri për integrimin europian, theksoi ai. Po ashtu kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe në liberalizimin e vizave, ku deklaroi se shqiptarët sot lëvizin pa viza në mbarë Evropën dhe përmendi në këtë drejtim se numri i qytetarëve të huaj kanë vizituar Shqipërinë si turistë apo qëllime të tjera është rritur nga 300.000 në vitin 2004 në 3.5 milion vitin e kaluar.

Duke u ndalur tek ekonomia shqiptare, kryeministri Berisha theksoi se në këtë periudhë të mëdha krizash financiare dhe borxheve të Evropës dhe botës, ekonomia shqiptare mbetet ndër ekonomitë më të pakta e cila njohu recensionin. Në rast se investimet e huaja sipas UNCTAD nga viti 2007 deri në 2010 patën ulje prej 37% në të gjithë botën, në Shqipëri investimet e huaja direkte sipas po këtij burimi u rritën nga viti 2006 deri në 2010 me 316%. Eksportet shqiptare gjatë viteve të fundit u rrit me 300%. Papunësia u ul, po kështu edhe varfëria njohu një rënie prej 30%. Modeli ynë ekonomik bazohet tërësisht në lirinë ekonomike, e cila vitin që kaloi ka pësuar një stanjacion të ndjeshëm në botë, kurse në Shqipëri ajo është rritur me 16 pikë, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Megjithatë, kryeministri theksoi se kriza e borxheve dhe kriza e euros në BE, qëndron pak a shumë si shpata e Demokleut, mbi lekun tonë dhe mbi kokën e ekonomisë shqiptare. Ndaj shfrytëzoj rastin t`u bëjë thirrje vendeve të Eurozonës, që në kuadër të përpjekjeve të tyre, të mëdha e serioze, për kapërcimin e problemeve aktuale, të konsiderojnë edhe pasojat e kësaj krize mbi ekonomitë tona të euroizuara, nënvizoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›