E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kundër Bodes: Kemi më shumë para në buxhet

 

Fabiola Çela

Ndërprerja e tenderave nuk është kryer si pasojë e fondeve në buxhet. Kështu është shprehur dje kreu i qeverisë, Berisha, lidhur me vendimin e marrë dy ditë më parë në mbledhjen e qeverisë. Madje, sipas tij, nuk ka asnjë problem likuiditesh në buxhetin e shtetit.
Reagimi
Gjatë mbledhjes së zhvilluar dy ditë më parë, qeveria vendosi që përmes një vendimi të ndalojë procedurat e prokurimit për fondet e investimeve të parashikuara në buxhetin e vitit 2009, që nga data 3 gusht 2009. Të gjitha ministritë, të cilat kishin parashikuar zhvillimin e tenderave, pas kësaj date duhet t’i anulojnë ato. Pas datës 3 gusht nuk do të ketë asnjë investim të ri të qeverisë. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, kriza jo vetëm është evidente, por në rastin më të mirë do të vazhdojë njësoj deri në fund të vitit. Për këtë arsye, financat propozuan që të kufizohen shpenzimet operative dhe kapitale. Por sipas kreut të qeverisë Berisha, ndërprerja e tenderave është kryer për një tjetër arsye. “Çdo vit pa përjashtim në muajin shtator apo tetor ne kemi ndërprerë tenderimet jo për mungesë fondesh, por i kemi ndërprerë ato për të shmangur tenderimet vjeshtuke, të cilat janë si puna e vjeshtukëve. Në muajin shtator një qeveri tjetër nis nga puna. Unë nuk mund të them se kjo qeveri që vjen sapo të instalohet ka të gjitha kapacitet për të ushtruar të gjitha prerogativat e saj, sepse një ministër apo zëvendësministër në fillim të detyrës së tij do të konsolidojë  administratën, para se të merret me këto çështje. Pra, kjo ka të bëjë thjesht me ndryshimin e qeverisë”, ka deklaruar kryeministri. Madje, sipas tij, ky është viti i investimeve më të mëdha. “Vitin e kaluar janë investuar 10% të prodhimit të brendshëm. Sivjet sërish jemi me shifrën e 10% të prodhimit të brendshëm për investime. Pra, kemi nivelin më të lartë. Nuk ekziston absolutisht asnjë problem likuiditetesh. Në rast se do të dini të vërtetën, i kemi pak me tepricë dhe ndofta do të lindë nevoja të kthejmë një pjesë”, është shprehur ai. Ndërsa mungesën e një buxheti suplementar këtë vit, kryeministri e lidhi me modelet që qeveria ndoqi me Fondin Monetar Ndërkombëtar kur mbikëqyrte dhe kontrollonte ecurinë e financave shqiptare. “Ka qenë një buxhet që diktohej nga negociatat që zhvillonim në kuadrin e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Buxheti suplementar në të vërtetë ka përfaqësuar operativitetin e dy modeleve. Njëri model ishte modeli i fillimit të vitit, i cili thoshte se Shqipëria do të ketë këtë deficit buxhetor, do të ketë këtë nivel të ardhurash, pra, do të ketë këtë buxhet. Ne e pranonim këtë, e tejkalonim këtë dhe në qershor bëhej operativ modeli i dytë, i cili faktonte se Shqipëria ka këto të ardhura dhe, për rrjedhojë ka këtë buxhet, e si rrjedhojë do të ketë këto shpenzime. Këtë vit marrëveshja u kalua në artikullin 4 të bashkëpunimit me FMN-në dhe është operativ modeli i fillimvitit i qeverisë”, është shprehur ai.

Financat pranojnë krizën: Nuk kemi para

“Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, sipas të dhënave operative të ardhurat e mbledhura nga tatimet e mbledhura nga tatimet e doganat kanë patur një mosrealizim rreth 5.4 për qind kundrejt planit të parashikuar në buxhetin e vitit 2009”, thuhet në relacionin e Ministrisë së Financave, që i bashkëngjitet vendimit të miratuar dy ditë më parë nga qeveria. Me një llogaritje të thjeshtë, në arkën e buxhetit mungojnë 6.2 miliardë lekë vetëm nga plani 6-mujor i doganave dhe tatimeve, ose rreth 70 milionë dollarë. Por sipas relacionit, në totalin e të ardhurave mungojnë 6 për qind, rreth 10 miliardë lekë ose rreth 110 milionë dollarë. Në relacion pranohet qartë se ekonomia shqiptare është frenuar, edhe pse INSTAT tregoi se rritja ekonomike është 6 për qind. “Si rrjedhojë e efekteve negative të krizës, është vërejtur një ngadalësim i ritmit të rritjes së aktivitetit ekonomik, gjë e cila ka ndikuar në mënyrë direkte edhe në mosrealizimin e të ardhurave të planifikuara”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›