E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Mos neglizhoni shenjat e gripit

 

zirina llambro

“Mos neglizhoni virozat dhe simptomat e tyre. Mos blini tamiflu në farmaci pa e kërkuar mjekët. Pasi efektet në organizëm mund të jenë të rënda”. Këto ishin këshillat kryesore që ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, bëri dje nga porti i Durrësit dhe aeroporti “Nënë Tereza”. Këto vizita bëhen në kuadër të inspektimit të pikave kufitare për masat e marra për virusin AH1N1. ”Duke pasur parasysh se Shqipëria pritet të regjistrojë raste të tjera të gripit të derrave, strukturat shqiptare të shëndetësisë janë të përgatitura për të përballuar çdo situatë të mundshme të përhapjes së këtij virusi”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë inspektimit në portin detar të Durrësit. Godo vlerësoi masat e marra në portin më të madh në vend, ku aktualisht lëvizin mesatarisht 3-5 mijë vetë në ditë. “Ajo që shoh realisht konfirmon kuadrin e masave të marra në bashkëpunim me kompanitë e lundrimit dhe autoritetet portuale. Të gjithë udhëtarët në tragete njoftohen gjatë udhëtimit për mundësinë e vizitave mjekësore nga mjeku i anijes në raste të shqetësimeve të ndryshme”, u shpreh Godo.
Të dyshuarit në Durrës
Ministrja e Shëndetësisë zhvilloi një vizitë edhe në spitalin rajonal të Durrësit. Ajo inspektoi mjediset e reja karantinore, të cilat së bashku me repartin infektiv të spitalit janë krejtësisht të izoluara nga mjediset e tjera. “Disa ditë më parë në këtë spital janë trajtuar 8 të sëmurë të dyshuar për gripin e derrit dhe katër prej tyre kanë dalë krejtësisht të shëruar. Katër të tjerë, kryesisht të moshave të reja dhe të mesme po trajtohen ende nga ana mjekësore, ndërsa priten edhe rezultatet e analizave të kampionëve të marrë prej tyre”, tha Godo. Ajo vlerësoi masat e marra nga personeli i spitalit rajonal të Durrësit, i dyti për nga kapacitetet pas Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Masat në
aeroport
Ministrja e Shëndetësisë inspektoi ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, lidhur me masat e marra për virusin e gripit A(H1N1). Ajo kërkoi shtim të materialeve informuese në ambientet e ndryshme të aeroportit. “Një udhëtar që vjen në vend, nëpërmjet aeroportit, menjëherë informohet dhe sensibilizohet nga posterat e vendosura sesi duhet të sillet ai nëse e ndjen veten të sëmurë me grip. Gjithashtu, në monitor kërkohet që një qytetar, me shenja të gripit, duhet të paraqitet menjëherë te strukturat e inspektoratit sanitar. Kërkova që të shtojmë stendat që qytetari kudo që të jetë në ambientet e aeroportit të ketë këtë sensibilizim”, theksoi ministrja. Sipas saj, kjo masë në mënyrë që, nëse udhëtarët e dinë që vijnë nga një komunitet kontakti me infeksion apo nuk ndjehen mirë, të mos dalin nga aeroporti, por të drejtohen tek inspektorët, në mënyrë që të mos infektojë të tjerët. Ndërkaq sot pritet të nisen jashtë vendit 30 mostrat që dyshohen për grip derrash. Instituti i Shëndetit Publik grumbullon çdo ditë të tilla për rastet e dyshuara.

Berisha: Gripi s’është agresiv, ruani qetësinë

Pas regjistrimit të rasteve të para me grip derrash në vendin tonë, reagon për herë të parë edhe kryeministri Sali Berisha. Ai bëri thirrje dje për qetësi dhe siguroi shqiptarët se qeveria e tij ka marrë të gjitha masat për të përballuar çdo lloj situate që krijon një pandemi. “Absolutisht, tërësisht e përgatitur me të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta përballuar me sukses të plote, qoftë me shtretër, qoftë me specialistë dhe laboratorin për të identifikuar këtë specifikë të virusit, qoftë dhe me tamiflu apo vaksina. Jemi tërësisht të përgatitur dhe s’ka asgjë për t’u dramatizuar”, deklaroi kryeministri Sali Berisha. Berisha deklaroi më tej se gripi A/H1N1, sipas të gjitha studimeve rezulton se e ka humbur agresivitetin e vet viral, porse si virus ndryshe nga të tjerët përhapet më shpejt. Si për të lëshuar një mesazh qetësues në fund, kryeministri Berisha mbylli deklaratën e tij për mediat me një batutë. “Eshtë e vërtetë kjo që përhapshmëria e tij është më e shpejta se të gjitha format e njohura deri më sot, por jo agresiviteti, jo violenca. Kështu që unë nuk do çuditem ndonjë ditë, t’iu thërras në konferencë shtypi dhe të ketë ndonjëri këtë grip, ose ta kem dhe unë”, tha ai. Sipas Berishës, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka sugjeruar së fundi se është e panevojshme strukturat përkatëse të merren me statistikat e përhapjes. Duket se ky konkluzion del për shkak të përhapjes shumë të shpejtë të këtij gripi. “Ajo sugjeron përqendrimin kryesor në vizitat dhe trajtimin e rasteve. Kjo nuk do të thotë që individët duhet të përpiqen t’u shmangen grumbullimeve të mëdha, por e vërteta është se kjo është sëmundja e grumbullimeve. Nuk është në shkolla, por është në plazhet, në qendrat e ushqimit”, nënvizoi kryeministri.

Godo: Po hetojmë kushtet e ruajtjes së tamiflusë së skaduar

Jo vetëm të skaduara, por nuk kanë asnjë garanci për mënyrën si janë ruajtur gjatë kësaj kohe. Për 2900 dozat e tamiflusë që janë jashtë standardeve, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh dje se po hetohet. Por, sipas saj, ato mund të përdoren  edhe për një vit, nëse janë ruajtur në kushte të mira në zinxhirin e vaksinave. “Kemi një sasi tamifluje, e cila në kuti plotëson datën e skadimit, por nga OBSH-ja dhe vetë kompania na është thënë se mund të përdoret dhe një vit tjetër nëse është ruajtur gjatë kësaj kohe në kushte të mira dhe të domosdoshme që medikamenti të mos skadojë. Tani jemi duke hetuar pak për këtë”, bëri të ditur ministrja. Ndërkohë, numri një i Shëndetësisë i bëri thirrje qytetarëve që të mos blejnë tamiflu në farmaci, pasi përdorimi i saj pa një konfirmim nga mjeku, sjell efekte të rënda anësore në organizëm. “Jo çdo njeri, dhe i rekomandoj qytetarëve se mund të vijë puna që tamifluja të jetë në farmacitë e qytetit, jo çdo njeri duhet të vejë të blejë dhe të përdorë tamiflunë, është medikament i fortë, nuk është si të marrësh thjesht një nga këto antipiretikët që marrim në raste gripi”, vijoi Godo. Sipas ministres, brenda pak ditësh pritet të vijnë edhe 10 mijë doza të tjera tamifluje, që janë porositur tashmë. Në dispozicion për blerjen e antiviralit është vënë një fond prej 350 mijë eurosh. Nëse e kërkon situata, qeveria ka premtuar se do të blejë sasi të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›