Berisha lajmëron Bashën: Jam shumicë në PD! Do mbajë përgjegjësi shembullore, nëse s’më hap rrugë!

Ishkryeministri Sali Berisha i cili po përpiqet të vihet në krye të PD si partia më e madhe të opozitës së djathtë, i bëri thirrje kreyt të deritanshëm të saj Lulzim Basha të njohë shumicën ose në të kundërtën do të mbahet përgjegjës në mënyrë shembullore.
“Një gjë është këtu, sot ka një shumicë dërrmuese në njërën anë, ka një pakicë në anën tjetër. Nëse kjo pakicë vazhdon të mos njohë shumicën, mendon se mund të shtyjë shumicën me ndihmën e qeverisë, e vërteta është se do të mbahet përgjegjëse në mënyrë shembullore, ajo dhe Edi Rama. Shumicën duhet ta respektosh dhe s’mund ta marrësh kurrë peng. Ne jemi shumicë” tha zoti Berisha pas mitingut kundër vizitës në Tiranë të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
“Lëvizja jonë është për një opozitë më të fortën që ka parë vendi që nga viti 1991. Në rast se Shqipëria është rrokulisur në këtë mënyrë, përgjegjësi ka edhe udhëheqja e shkuar e opozitës, e cila në asnjë rrethanë nuk ngjalli shpresën dhe besimin te shqiptarët. Kjo kohë merr fund. Ju e patë, një protetsë e thirrur në 48 orë, herë tjetër do ketë program protesta. Asgjë nuk do na pengojë pa bërë transparencë të plotë për të gjitha lidhjet e Ramës me krimin dhe vjedhjet” tha zoti Berisha.
I pyetur se kur do ta marri drejtimin e PD-së dhe do ta largojë Lulzim Bashën, Berisha tha: “Cili do të jetë drejtimi i PD-së, e përcaktojnë anëtarët e saj. Sot PD e rithemeluar në vlerat e saj, është një shumicë e jashtëzakonshme. Ky është një revolucion i pandalshëm”.
Edhe një herë ish kryeministri Sali Berisha tha se në këtë betejë “Nuk është halli i Sali Berishës, por janë hallet e injoruara të qytetarëve shqiptarë nga njeriu që përfundoi në metamorfozën më të shpifur, atë të bravës. Kur njeriu shpalos veten, do ishte e pafalshme të mos e lexosh. Lul brava shpalosi veten. Sot ka një shumicë dërrmuese nga njëra anë, ka edhe një pakicë nga an a tjetër. Nëse kjo pakicë mendon se mund të shtypë shumicën me ndihmën e qeverisë, do mbahet përgjegjëse në një mënyrë shembullore. Shumica respektohet, nuk mund ta marrësh kurrë peng”.