Bumçi dhe Harxhi në protestën e Berishës: Rama po e shet Vuçiç si lider evropian

Aldo Bumçi, ishte i pari nga mbështetësit e Sali Berishës, që mbajti fjalën në protestën para kryeministrisë. Sipas tij, Ballkani i Hapur është vetëm për të izoluar Kosovën.
“Ata që bënë aleancë me krimin, duan t’i paraqesin para botës sikur të jenë garantuesit e vlerave evropiane, ballkani i hapur, dhunuesit më të mëdhenj t’i paraqesin si vlera të mëdha. Pas projektit për ndarjen e Kosovës, vazhduan me Ballkanin e Hapur, duan të realizojnë izolimin e Kosovës, është fasada që Rama i jep Vuçiç. Ai flet për botën serbe, që po nxit konflikt në Bosnje. Rama i bën fasadën që e nxjerr si lider evropian. Pazare për pushtet, nuk është projekt evropian”, tha Bumçi.
Për ish-kandidate për kryetare të PD, Edith Harxhi, nisma ‘Open Balkan’ është një ‘përrallë e shëmtuar’ që po serviret sikur është hyrja në Evropë. Gjatë fjalës së saj, në protestën e Berishës, Harxhi tha se Kombi ynë është në rrezik nga kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
“Ballkani i Hapur” është vetëm një përrallë shumë e keqe, e shëmtuar që ne po na serviret sikur është hyrja në Europë. Pyes Edi Ramën, a njohje i ka dhënë Kosovës në këto 9 vite? Zero! Janë të gjitha mashtrime. Kombi ynë është në rrezik në këto momente, rreziku i vjen nga Rama, Vuçiç dhe ata që i paguajnë me misionin për të djegur Ballkanin. Ku ndodhet sot Lulzim Basha, gjoja nipi i Pejës? Asgjë, në 4 vitet e fundit që është diskutuar territori i Kosovës, a bërë vetëm një deklaratë të mjerë”, tha ajo.
Tritan Shehu, nga protesta e Sali Berishës u shpreh se ‘Open Ballkan’ po tenton ta kthejë Shqipërinë drejt lindjes. Sipas Shehut, ata duan marrëdhënie të mira me fqinjët, por shtoi se duan që ato të udhëhiqen nga procese Evropiane. Shehu shtoi se lëvizja e nisur nga Berisha, është më pro-evropiane dhe më pro-amerikane.
“Po protestojmë sepse e ndjemë rrezikun, retë e zeza që kërkojnë t’i sjellin sërish mbi rajonin tonë. Duan ta degdisin Shqipërinë në lindje. Konfirmojmë vullnetin tonë për të qenë pjesë e perëndimit, Europës e familjes që i përkasim historikisht, ku do shkojmë. Ne duam marrëdhënie të mira me të gjithë në Rajon, por duam të udhëhiqemi nga procese Europiane, duam të ulemi në tryezë duke patur në krye Brukselin. Duam të jemi të barabartë mes të barabartëve sepse të gjithë sëbashku aspirojmë të ardhmen europiane. PD që në gjenezën e saj, lindi si forca e vetme proamerikane dhe kështu do jemi. Ne jemi më proamerikanët, më proeuropianët”, tha ai.
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, në fjalën e saj në protestën e Berishës tha se sot pavarësia e Kosovës po kërcënohet nga Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Sipas Vokshit, është e papranueshme që kryeministri Edi Rama është sot me Vuçiç, në vend që të ishte në protestë.
“Në këtë vend duket sikur tradhtia e hajnia vijnë shpesh, por bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk e cenon dot asnjë. Kjo është protesta e vetme organizuar nga një parti, dedikuar një çështje kombëtare. Sot Kosova është e pavarur por pavarësinë e saj po e lufton sot Vuçiç, prandaj jam në këtë protestë, për Kosovën time që gjaku i të gjithë atdhetarëve të mos shkojë dëm. Është e papranueshme që Edi Rama, në vend që të jetë këtu është me Vuçiç, e papranueshme që ende askush nuk ka kërkuar falje për burrat, gratë e fëmijët e masakruar. Opozita është e gjallë, ne jemi të gjallë si garant i mbrojtjes së çështjes kombëtare”, tha ajo.