Berisha: Çlirohen nga faturat e prapambetura shtresat në nevojë
Në kuadër të 22 marsit qeveria do të çlirojë nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë të familjeve me ndihmë ekonomike, persionistët dhe invalidët.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se falja e këtyre kategorive do të bëhet deri në datën e marrjes së KESH-it nga CEZ-i.
“Mendohen të çlirohen nga një barrë të cilës nuk ka mundur ti përgjigjen me përpikmëri.Këto detyrime do të konsiderohen të shlyera ose të paqena” theksoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të akordojë një fond prej 100 mijë dollarësh si ndihmë për Japoninë e shkatërruar nga tërmeti dhe tsunami i ditës së premte.
Sipas tij ky akt përbën një formë ndihme për popullin japonez, i cili është duke vuajtur pasojat e fatkeqësive natyrore.
Gjithashtu në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha kërkoi edhe njëherë që ligji për amnistinë fiskale të dërgohet sa më parë në Parlament duke bërë të qartë edhe njëherë se bizneset e politikanëve dhe ato të cilat e kanë origjinën nga krimi do të përjashtohen nga ky ligj.