E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërhynë në gjykatë për të liruar të dënuarin, nisin hetimet ndaj 3 personave

Tre persona janë nën procedimin penal të Prokurorisë së Fierit, me akuzën se kanë ndërhyrë pranë Gjykatës së Lartë për ndryshimin e vendimeve gjyqësore.
Sipas policisë së Fierit, Agron Lumeshi, Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve duke favorizuar lirimin nga burgu të shtetasit Vilson Mellaraj, i akuzuar për vrasje dhe plagosje.

Mellaraj ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit në Durrës, për vrasjen me armë zjarri të shtetasit Dorjan Sula dhe plagosjen e Stavri Lalos në vitin 1999, në Athinë.  Mellaraj kishte kërkuar më pas rekurs në Gjykatën e Lartë.

Sipas hetimeve, Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj, interesoheshin te të njohurit e tyre për të mbledhur shuma të konsiderueshme të hollash, të cilat duhet ti paguanin për të zgjidhur çështjen në favor të të dënuarit në Gjykatën e Lartë. Personi që premtonte zgjidhjen e çështjes në Gjykatën e Lartë ishte Agron Lumeshi, nga Tropoja, i cili është i afërm i kryesuesit të trupit gjykues.

Lumeshi e kishte marrë përsipër zgjidhjen e çështjes, nëpërmjet ndikimit te trupi gjykues, po kanë qenë pikërisht përgjimet që u janë bërë këtyre 3 personave ato që kanë zbardhur skemën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›