Kompetencat e Parlamentit dhe Presidentit, Gjykata Kushtetuese seancë më 16 shkurt
Gjykata Kushtetuese do të zgjidhë në mesin e këtij muaji konfliktin mes Presidencës dhe Parlamentit për emërimin e anëtarëve të gjykatave më të larta në vend. Në datën 16 shkurt Kushtetuesja do të nisë shqyrtimin e çështjes që do të ndajë kompetencat e Presidentit dhe Parlamentit, që për shkak të mosmarrëveshjeve kanë shkaktuar bllokimin e rinovimit të një pjese të anëtarëve në Gjykatën e Lartë dhe në vetë Gjykatën Kushtetuese.
Një pjesë e anëtarëve të këtyre gjykatave vijojnë të ushtrojnë detyrën edhe pasi zyrtarisht prej shumë kohësh iu ka përfunduar mandati. Pak ditë më pas Presidenti, përmes një kërkese të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkoi zgjidhjen e konflikteve me Kuvendin dhe “Shfuqizimin e vendimit nr. 106, datë 23. 06. 2011 të Kuvendit të Shqipërisë; Zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet institucionit të Presidentit të Republikës dhe atij të Kuvendit”.
Sipas kreut të shtetit, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për hapjen e rrugës mbi emërimin e tre anëtarëve të rinj. Padia që drejtohet nga Bamir Topi, mbështetet në vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese për interpretimin e nenit 125 pika 3 të dokumentit themeltar të shtetit. Megjithëse mandati i tre anëtarëve mbaroi në muajin maj të vitit 2010, Admir Thanza, Petrit Plloçi dhe Xhezair Zaganjori, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë. Mungesa e zëvendësimit të tyre ka ardhur si pasojë e përplasjes Kuvend – Presidencë.