E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfaqësuesi i Brukselit vjen sërish në Tiranë, pasi Rama e nisi 2012-n me bllokimin e ligjeve

06-02-2012 / Gazeta 55

Drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino mbërrin sot në Shqipëri për një vizitë zyrtare, ku do takojë liderët politikë për të testuar gjasat për miratimin e 12 rekomandimeve të Brukselit, brenda pranverës

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino mbërrin sot në Shqipëri, në kuadër të një vizite zyrtare. Zyrtari i lartë i KE, gjatë qëndrimit në Tiranë pritet të takohet me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli, ministren e Integrimi Evropian, Majlinda Bregu, zëvendës kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto si edhe do të zhvillojë një takim edhe me anëtarët e komisionit parlamentar të integrimit.
Qëllimi i vizitës së Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian është ecuria e punës për planin e veprimit mes BE-së dhe Shqipërisë, i cili u diskutua pak ditë më parë në Ministrinë e Integrimit në praninë e ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi. Sannino pritet të takohet në mesditë me anëtarët e komisionit parlamentar të Integrimit.
Plani i Veprimit përcakton të gjitha iniciativat dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria dhe institucionet për përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian për Shqipërinë.
Për kreun e delegacionit të Komisionit Evropian, Sequi, arritja e konsensusit mes dy kampeve politike, përbën arritjen e institucionalizimit të hapave që do të hidhen në vazhdim për adresimin e 12 prioriteteve që i kërkohen Shqipërisë. “Vullneti politik ekziston, ajo që duhet tani është hedhja e hapave konkretë në këtë proces. Kjo lidhet me përgjegjësinë tuaj si komision dhe rritjen e kapaciteteve për ta përballuar këtë angazhim. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar, por aspirata për integrim është e juaja”, tha pak ditë më parë, ambasadori, Ettore Sequi.
Lidhur me Planin e Veprimit, Ministritë e linjës kanë draftuar rishikimin e tij për prioritet 6-12, duke ngritur grupe pune me përfaqësues të shoqërisë civile për çdo prioritet. Secili nga grupet e punës ka rishikuar planin për prioritet 6-12 dhe takimi i sotëm mbahet për të marrë sugjerimet e shoqërisë civile mbi këtë draft, duke ulur bashkë hartuesit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ndërkaq, gjatë vizitës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino pritet të nxisë palët politike të vijojnë rrugën e bashkëpunimit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të vendosura nga BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›