E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha lutet për zgjedhjet në tempullin budist

Kryeministri Sali Berisha lutet për zgjedhjet e 28 qershorit në tempullin budist të Nanshasë, gjatë vizitës që po zhvillon në Republikën Popullore të Kinës. Shefi i qeverisë shqiptare nuk ka lënë t‘i humbasë shansi për t‘u lutur në tempullin e shenjtë për sfidën e tij kryesore dhe për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. I pyetur nga gazetarët, të cilët e shoqërojnë Kryeministrin gjatë kësaj vizite, nëse lutja e tij në tempullin e shenjtë kishte lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit, Kryeministri Berisha u përgjigj se "Buda është për ne simbol i mbarësisë, natyrisht u luta jo vetëm për zgjedhjet, por në tërësi".

Frika e rezultatit të zgjedhjeve, sondazhet e fundit që nxjerrin dy partitë e mëdha jo me një diferencë të madhe rezultati nga njëra-tjetra, ka bërë që kryetari i PD-së jo vetëm të bëjë një reflektim dhe analizë të thellë brenda partisë, por të shkojë deri aty sa të lutet pranë tempujve të shenjtë për rezultatin e zgjedhjeve, që lidhen ngushtë me të ardhmen e tij në politikë.

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë, me ftesë të Kryeministrit kinez Wen Jiabao, zhvilloi dje një vizitë në tempullin Budist të Nanshasë. "Buda është Zoti i një besimi që ndjell mbarësi, mirëkuptim, tolerancë dhe unë pata shumë kënaqësi për këto momente që kalova në këtë tempull, ndër më mbresëlënësit që kam vizituar në jetën time", u shpreh Berisha, duke shtuar se do të rikthehem këtu ta vizitoj si turist këtë tempull. Duke iu referuar vizitës në tempullin budist, Kryeministri Berisha theksoi se aty gjeti statujën më të mrekullueshme të Budës që kishte parë ndonjëherë dhe evidentoi faktin se kjo statujë ishte ndërtuar nga një artist prej Shenzheni. "Jam i impresionuar nga përpjekjet për konsolidimin e qytetërimit të madh kinez", u shpreh Kryeministri. Në frymën e bashkëpunimit të thellë, vijoi Kryeministri Berisha, populli shqiptar ushqen ndjenja thellësisht miqësore ndaj Kinës, duke nënvizuar se qeveria popullore e Kinës i ka dhënë një ndihmë shumë të çmuar Shqipërisë. Tempulli përbën një mrekulli të kohës sonë. Buda, i cili është edhe udhëheqësi hyjnor, Zoti i besimit budist, i ndërtuar me një mjeshtri të rrallë, i derdhur me flori të cilësisë më të lartë dhe stolisur me gurë të çmuar, sipas legjendave rrezaton në të gjitha aspektet mirësi, optimizëm, besim dhe shpresë. Ndoshta ky ka qenë fakti që ka detyruar kreun e qeverisë shqiptare të ulet në gjunjë në një prej tempujve të shenjtë që gjendet në territorin e një vendi komunist.

"Pamë Budën gjigant që dilte nga deti si zot i tij dhe këtu tani shohim Budën, i cili përfaqëson edhe statujën më të lartë të florinjtë në botë. Kjo është një skulpturë e re e vitit 1995, vepër e një skulptori të madh të Shenzhenit, e sjellë këtu në këtë tempull të ri, park i vlerave të mëdha shpirtërore budiste, dëshmia e një Kine që respekton dhe zhvillon vlerat e saja tradicionale të budizmit dhe vlerat e mëdha kulturore", tha Berisha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›