E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Në Kuvend, ligji për financimin e komuniteteve fetare

Kuvendi do të votojë brenda këtij mandati ligjin për financimin e komuniteteve fetare. Lajmin e ka bërë me dije Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një vizite në Durrës. "Jam shumë e kënaqur që do kem mundësinë brenda këtij mandati, të kalojmë ligjin "Për financimin e të gjitha besimeve fetare". Dhe kjo është diçka e mirë për t‘i ndihmuar dhe për t‘i mbështetur në punën e tyre, sepse janë përcjellësit më të mëdhenj dhe më të çmuar të vlerave morale, për të cilat ne gjithmonë kemi nevojë", tha Topalli. Me anë të këtij ligji, qeveria ka vendosur financimin nga buxheti i shtetit për bashkësitë fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave. Në këtë mënyrë, ekzekutivi, tenton të minimizojë financimet që vijnë nga jashtë vendit ndaj institucioneve fetare.

Me anë të këtij ligji kërkohet pavarësia ekonomike e bashkësive fetare, pasi dihet që faktori i jashtëm është ende mbizotërues në financat e tyre dhe kontrolli me këtë vendim kalon nga ana e qeverisë. Është i qartë fakti që deri tani komunitetet fetare financohen nga vende si Greqia, ndërkohë që me vendimin e fundit të qeverisë është minimizuar ky proces. Jo më pak se 50 milionë lekë është shuma që ka planifikuar qeveria për mbështetjen financiare të Komunitetit Mysliman, Kishës Ortodokse Autoqefale, Kishën Katolike dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Këto komunitete do ta fitojnë mbështetjen ekonomike duke paraqitur projekte konkrete për ndërtim, mirëmbajtje, riparim dhe infrastrukturë që përzgjidhen nga Komiteti Shtetëror për Kultet dhe miratohen nga ministri përgjegjës për kultet. Gjatë regjimit të kaluar, shteti komunist shkatërroi fenë, dënoi me vdekje dhe internim 302 klerikë të arsimuar kryesisht në Perëndim, rrënoi nga themelet 138 objekte kulti në vend, ndërsa ato që mbetën u konfiskuan dhe u tjetërsuan, duke u kthyer në magazina, reparte dhe depo ushtarake, stalla apo salla sportive, duke dëmtuar plotësisht infrastrukturën e fesë. Në ligj është parashikuar mbështetje vetëm për administratën. Mbështetja financiare për administratën do të jetë gjysma e pagës minimale dhe mbështetja e bashkësive fetare në fushën e arsimit për shkollat jofitimprurëse që administrohen nga bashkësitë fetare, me programe të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Ministrave. Sipas relacionit të ministrit të Kulturës, Ardian Turku, bashkësitë fetare shpenzojnë nga fondet e donatorëve të tyre rreth 8.3 milionë dollarë në fushën e arsimit, duke arsimuar 7650 nxënës në 32 shkolla të niveleve të ndryshme të licencuara nga Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Ministrave, të cilat menaxhohen nga bashkësitë fetare. Për hartimin e këtij projektligji, grupi i punës është konsultuar në mënyrë të vazhdueshme edhe me studio ligjore dhe ekonomike, me bashkësitë fetare dhe grupe të tjera të interesit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›