E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i PS, kartë sociale për çdo shtetas

Çdo shtetas shqiptar do të pajiset me kartën sociale, në bazë të së cilës do të përfitohen shërbime të ndryshme sipas gjendjes shoqërore, ekonomike dhe sociale që kanë. Hartimi i kartës sociale është parashikuar në një prej kapitujve të programit qeverisës të Partisë Socialiste, pjesë që u prezantua dje nga kryetari i kësaj partie, Edi Rama, gjatë një takimi me persona me aftësi të kufizuara në kryeqytet. Në vijim të turit prezantues të programit, Rama u ndal te masat që do të marrë qeverisja e re për këtë kategori duke zbardhur planin për shërbimet që do të marrë çdo shtetas shqiptar në bazë të gjendjes ekonomike dhe sociale ku ai ndodhet. Rama premtoi se do të ketë vlerësim mjekësor, por edhe social për të përcaktuar se cilat janë shërbimet mjekësorë që duhet të përfitojë çdo qytetar shqiptar.

"Për të gjithë shqiptarët, tha Rama, do të krijojmë kartën sociale, e cila do të sjellë një revolucionin që Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë". Kreu socialist shpjegoi se "duam që të krijojmë për çdo shqiptar e shqiptare, kartën sociale, e cila është një kartë që në bazë të profilit individual dhe gjendjes shoqërore e ekonomike, t‘i japë mundësi çdo qytetari e qytetareje të përfitojë në mënyrë të thjeshtë dhe tërësisht transparente shërbime e kujdes social, shëndetësor, arsimor, apo kulturor".

Në vijim të fjalës së tij, gjithë çfarë parashikon karta sociale, Rama e cilësoi një revolucion në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit. Referuar kategorisë së personave me aftësi të kufizuara, Rama u shpreh se së pari do të rishikohet sistemi i vlerësimit të paaftësisë, duke kaluar nga një vlerësim thjesht mjekësor, në vlerësim mjekësor dhe social. "Individët që u shërbejnë personave me aftësi të kufizuara, tha Rama, vitet që kalojnë pranë tyre do t‘u llogariten si vite pune për efekt pensioni". Kreu i PS-së u ndal gjatë prezantimit të programit edhe te karburanti që u duhet për lëvizje kësaj kategorie të shoqërisë. Ai premtoi rritjen e shumës së rimbursimit të karburantit, duke parashikuar që edhe nëse rritet çmimi, personat me aftësi të kufizuara mund ta blejnë të njëjtën sasi. "Ne do ta rrisim shumën e rimbursimit të karburantit për ju e për ata që si ju kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë, duke siguruar që pavarësisht ndryshimit të çmimit të karburantit, çdo person me aftësi të kufizuara, të mund të blejë të njëjtën sasi karburanti që i nevojitet. Periudha në shërbim të personave me aftësi të kufizuara, do të njihet si vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë", shtoi kreu i PS-së.

Duke prezantuar programin, Edi Rama u ndal te fakti se ky program është një instrument qeverisës dhe jo një mal me premtime të pambajtura: "Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi në këtë garë për të konkurruar me tregtarët profesionistë të gënjeshtrave dhe për të ngritur lart e më lart zërin në pazarin e vjetër politik të këtyre 18 vjetëve, ku janë tregtuar gënjeshtra pa fund, ku janë tregtuar premtime pa fund, ku janë krijuar iluzione pa fund, të cilat kanë pasur më pas si rezultat zhgënjimin e pafundmë të qytetarëve e qytetareve të këtij vendi", theksoi kryesocialisti. Prezantimi i programit qeverisës ka nisur në fillim të javës së kaluar dhe deri më tani, gjatë një turi nëpër qytete të ndryshme të vendit, kreu i PS-së ka shpallur vizionin e Partisë Socialiste për uljen e varfërisë, shtimin e vendeve të punës dhe masat që do të merren për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë. Lidhur me

uljen e nivelit të varfërisë, Rama është shprehur se një prej masave është rikonceptimi i programit të ndihmës ekonomike. Në program është parashikuar që për përfituesit e ndihmës ekonomike do të ofrohen shërbime të formimit profesional brenda vitit 2010, shërbime që pritet të rrisin punësimin. Programi i integrimit social do të mundësojë që brenda vitit 2010 familjet e varfra të përfitojnë 50% më shumë, ndërsa në vitin 2011 përfitimi i ndihmës do të dyfishohet. "Deri në fund të mandatit të parë, përfitimi i ndihmës ekonomike do të jetë 4 herë më i madh", është shprehur Rama. Duke shfletuar programin e PS-së, Rama u shpreh se socialistët, me këtë instrument në duart e tyre, janë të gatshëm të nisin zbatimin e tij të nesërmen e fitores.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›