Berisha mban peng krizën, të ndërhyjnë ndërkombëtarët
Pasi ka hyrë në Kuvend për të bërë betimin dhe ka dorëzuar dy nismat ligjore, Partia Socialiste i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë, për të mos rënduar krizën. Në një bashkëbisedim të gjatë me gazetarët, kreu socialist, Edi Rama, shprehu dje keqardhjen për reagimin e mazhorancës në Kuvend, teksa betoheshin deputetët socialistë. Sipas tij, Berisha ka mohuar se ka një krizë në vend, dhe tani që PS ka bërë gjithë çfarë kërkoi delegacioni i KiE-së, faktorët e Bashkimit Europian duhet të ndërhyjnë për të mos e rënduar më tej krizën në Shqipëri. Rama vuri në dukje se nisma po zvarritet nga ana e mazhorancës dhe nëse vijon e njëjta strategji, rruga tjetër që do garantojë transparencën e zgjedhjeve janë protestat masive e mbarëpopullore që nuk do ndalen në të gjithë vendin.
“Unë dua njëkohësisht t’i bëj apel komunitetit ndërkombëtar, për të mos lejuar që kjo krizë të rëndohet, për shkak në radhë të parë të refuzimit të qeverisë për ta njohur krizën. Një refuzim i papranueshëm dhe një shprehje e papranueshme e shpërfilljes në fakt të vetë komunitetit ndërkombëtar dhe të qëndrimit të tij të materializuar në një dokument siç është Rezoluta e KiE, ku flitet për krizë”, nënvizoi ai.
Nga ana tjetër, kreu i socialistëve qartësoi mesazhin e tij se “s’ka dyshim se cilido që mendon se ne shkuam në Kuvend për të futur në një kanal zvarritës kauzën tonë, jo vetëm mendon gabim, por në rastin e vetë pushtetit që kështu mendon, merr një përgjegjësi të madhe për të gjitha pasojat e kësaj sjelljeje të papërshtatshme në raport me krizën dhe në raport me vullnetin e popullit opozitar, për ta zgjidhur këtë krizë nëpërmjet përfaqësuesve të vet në Parlament”. Sa më tej, nëse mazhoranca refuzon dy nismat, Rama tha se njëra nga rrugët e mundshme është ajo e Parlamentit, të cilën në qoftë se PS do ta gjejë të mbyllur, do ta kthejë përpjekjen e saj në një protestë të pandalshme derisa të vihet në vend e drejta e saj.
Megjithatë, përballë kësaj situate duket se PS do të tregojë durim dhe do të jetë e hapur të bisedojë për zgjidhjen e krizës, e cila për kryetarin socialist mbetet peng vetëm i vullnetit të Sali Berishës. Sa i përket Komisionit të Venecias dhe sugjerimit të KiE-s, i cili u artikulua gjatë qëndrimit të delegacionit në Tiranë, Rama tha se PS nuk ka nevojë të pyesë apo të presë Komisionin e Venecias që të zgjidhë problemin, duke i sugjeruar sërish KiE-s që mund ta bëjë ajo kërkesën për interpretim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur nga gazetarët, Rama u ndal edhe tek akuzat e kundërshtarëve të tij brenda partisë, të cilët pas vendimit të hyrjes në Parlament pa siguruar hapjen e kutive, kanë artikuluar edhe kërkesën për dorëheqjen e Ramës nga posti i kryetarit të partisë. “Argumentet e Sali Berishës na mjafton t’i dëgjojmë nga pala tjetër për t’u dhënë përgjigje, s’kemi pse ju japim përgjigje dy herë”, tha Rama. Socialistët kanë dorëzuar dje edhe fizikisht dy draftet: Një projektvendim për ngritjen e komisionin hetimor dhe një projektligj për ndryshim në draftin e komisioneve parlamentare janë protokolluar në zyrat e sekretariatit të Kryesisë së Kuvendit nga deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Taulant Balla, në orën 11:00 të ditës së djeshme.
#