E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shkaqet e aksidenteve, sinjalistika, rrugët dhe policia

Zhvillohet Konferenca e Sigurisë Rrugore mes pesë ministrive

Aksidentet rrugore nuk po shtohen vetëm për faj të policisë, por faji është edhe i rrugëve dhe sinjalistikës. Me këto fjalë, Kryeministri Berisha tërheq sërish vëmendjen për aksidentet rrugore, të cilat “kanë tendencë në rritje”. I ftuar në Konferencën për Sigurinë Rrugore, Berisha vuri gishtin në mungesën e sinjalistikës rrugore, punën e policisë rrugore, por dhe në edukimin e pakët të popullsisë për të shmangur aksidentet.

“Problemi i sigurisë rrugore është kompleks, në të cilin gërshetohen një seri faktorësh që nga rrugët dhe siguria e tyre, nga kultura dhe aftësitë e atyre që drejtojnë mjetin, nga rendi që ndjekin ata që monitorojnë trafikun rrugor”, është shprehur Berisha, ku sipas tij, cilësia e rrugëve, sinjalistika janë një seri faktorësh për t’u adresuar. Ndaj, për t’u përballur me këtë situatë, Berisha tha se është e domosdoshme një përballje shumëplanëshe. “Situatës nuk i jepet përgjigje, në rast se ne e konceptojmë këtë si një përgjegjësi të policisë rrugore. është e vërtetë që policia rrugore ka pjesë palcore në veprimtarinë e saj për të parandaluar aksidentet, por është e vërtetë se problemi është shumë më i gjerë se sa rrezja e veprimit apo kompetencave të policisë rrugore. Rrugët tona vuajnë për standardet e sigurisë, vuajnë për sinjalistikën”, vuri në dukje kreu i qeverisë. Sipas tij, në shumë raste, përgatitja e atyre që marrin lejet e drejtimit të automjetit është informale, jashtë çdo standardi. “Nuk ka një përpjekje serioze për edukimin e popullatës për parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor. Nuk ka përpjekje serioze për edukimin e popullatës për mbajtjen e rripit të sigurisë në automjete, i cili është faktuar nga të gjitha studimet si një mjet që redukton shumë dëmin nga aksidenti rrugor. Nuk ka përpjekje serioze për mbajtjen e kaskës, e cila është e domosdoshme për të zbutur në maksimum traumën kraniale te motoçiklistët”, tha Kryeministri.

Më tej, ndryshe nga kreu i qeverisë, ministri i Transportit, Sokol Olldashi, vuri në dukje se arsyet kryesore të rritjes konstante të numrit të aksidenteve në vitet e fundit janë rritja e fluksit të lëvizjes së mjeteve në akset kryesore, rritja e shpejtësisë së lëvizjes mbi normat e lejuara dhe moszbatimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve. “Nga analiza e aksidenteve me humbje jete, 78.8% janë për shkelje të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve, 19% për shkelje të rregullave të qarkullimit nga këmbësorët dhe 2.3% për të meta teknike të mjeteve. Numri i aksidenteve konsiderohet shqetësues përkundrejt numrit të vogël të popullsisë dhe nivelit të ulët të motorizimit”, tha Olldashi. Më tej, ai shtoi se sipas të dhënave mbi aksidentet e ndodhura këto pesë vjetët e fundit, rezulton që në vendin tonë, numri mesatar i aksidenteve me vdekje për 10.000 mjete, është 10, përkundrejt 5.05, që e kanë vendet e Europës Qendrore e Lindore, pra rreth 1.8 herë më i lartë. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi rëndësinë e njohjes se dhënies së ndihmës së shpejtë nga çdo qytetar si një faktor shumë i rëndësishëm në zvogëlimin e pasojave të aksidenteve, si dhe përmirësimin e shërbimit ambulator dhe spitalor në trajtimin e traumave të shkaktuara nga aksidentet.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të ministrive të tjera. Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, theksoi se është rritur niveli i masave administrative të sanksionit për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar që vetëm në këtë muaj, janë vendosur 6500 sanksione administrative për shkelje të tilla dhe që policia e qarkullimit rrugor ka qenë dhe do të jetë e gatshme dhe vigjilente në parandalimin e aksidenteve. Ndërsa zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, u shpreh që kostoja e aksidenteve përben 1% GDP të vendit. Ai theksoi që financimi i projekteve të sigurisë rrugore është financim me kosto efektive dhe ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit. Me këtë problem shumëplanësh është bashkuar edhe zëvendësministri i Arsimit, i cili u shpreh me optimizëm për faktin që Siguria Rrugore ka filluar të trajtohet në programet shkollore, duke ndikuar në këtë mënyrë në edukimin e popullsisë mbi rregullat e trafikut rrugor dhe shmangien e aksidenteve në këtë mënyrë. Ndërsa përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, znj. Camilli Naumah, në fjalimin e saj i shtoi nota emocionale kësaj çështjeje të sigurisë së njerëzve, ku ndër të tjera shprehu përshtypjet e saj si prind, ndaj fenomenit shqiptar të mbajtjes në mënyrë të pakujdesshme të fëmijëve gjatë udhëtimit me makina. Ajo e cilësoi si çelës të artë të përmirësimit të sigurisë rrugore, bashkëpunimin dhe kooperimin shumë të ngushtë midis shumë institucioneve që janë të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në sigurisë rrugore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›