E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mban premtimin, me 1 korrik rritje e re pagash e pensionesh

Në mbledhjen e djeshme te qeverisë Kryeministri Sali Berisha konfirmoi se në datën 1 korrik do të bëhet rritja e pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike në përputhje me rritjen e çmimeve. Shefi i ekzekutivit, Berisha e konsideroi këtë si një zotim solemn të qeverisë ndaj dhe siguroi, se “do të kompensohen plotësisht çmimet e rritura për pensionistët, për qytetarët që janë në nevojë ekonomike dhe për rrogëtarët, pavarësisht se ku janë në qytete apo në fshat” dhe ky sipas tij “është një vendim i formës së prerë”.
Në fjalën e tij, Kreu i qeverisë reagoi edhe ndaj disa disinformuesve mediatikë të cilët për ditë me radhë kanë mbushur edicionet e tyre informative dhe faqet e gazetave duke keqinformuar se qeveria nuk do të rrisë pensionet, ndihmën ekonomike dhe pagat e punonjësve. Kryeministri theksoi se “për qëllime të caktuara, ndaj kësaj kategorie në nevojë po ushtrohet terror i përgjithshëm psikologjik mediatik”. “Si mund të kënaqeni duke mashtruar pensionistin, se nuk do të rritet pensioni? Këtë e bëjnë ose ata që i kanë harruar prindërit dhe gjyshërit, ose ata që lahen në vaskë floriri. Të hapësh titujt në media se nuk do të rriten pensionet dhe se nuk do të kompensohet rritja e çmimeve, do të thotë se je një hibrid i shpirtkazmërisë dhe shpirtzisë”, tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri garantoi se “në datën 1 korrik do të ketë një rritje të pagave dhe pensioneve në përputhje me rritjen e çmimeve që prekin pagën e tyre, pasi qeveria është një qeveri e fjalës së dhënë dhe e premtimit të mbajtur”. “Të sulmohet qeveria është gjëja më normale, por njerëzit nuk duhet të vihen në terror psikologjik. Është një fjalë goje të thuash që nuk do të kompensohet rritja e çmimeve për pensionistët, por mos harro se janë më shumë se 500 mijë qytetarë ata që preken nga kjo gjë. Po bëhet modë që në media, të bardhës t’i thuhet e zezë dhe të zezës e bardhë, por kjo e dëmton më shumë pushtetin e katërt, sepse ia humbet autoritetin”, vuri në dukje Berisha, duke theksuar se “pushteti i katërt” (media) është një pushtet që nuk votohet, ndaj dhe duhet të jetë e kujdesshme në punën e saj.
Qeveria miraton dhënien e ndihmës financiare për qiranë e banesës për familjet e prekura nga aksidenti teknologjik në fshatin Gërdec/Këshilli i Ministrave miratoi dje dhënien e ndihmës financiare familjeve, shtëpitë e të cilave janë shkatërruar tërësisht nga aksidenti teknologjik në fshatin Gërdec, bashkia Vorë, për përballimin e strehimit të tyre. Kjo ndihmë financiare do të jetë në masën 25 mijë lekë në muaj dhe akordohet për pagesën e qirasë së banesës. Duke e konsideruar një vendim të rëndësishëm, Kryeministri Berisha tha se ndihma financiare për qiranë do të jetë e vlefshme për periudhën që shtëpitë e tyre do të jenë në ndërtim. “Qeveria, do të paguajë qiranë e këtyre familjeve në mënyrë që të përballojnë strehimin për periudhën që kanë shtëpitë në ndërtim”, tha Kryeministri Berisha. Sipas Kreut të qeverisë, ky vendim është tejet i rëndësishëm, pasi qeveria angazhohet t’u paguajë qeranë familjeve, në mënyrë që të përballojnë strehimin për periudhën që i kanë shtëpitë në ndërtim.
Gërdeci, qeveria përfundon proçesin e kalimit të parave për dëmshpërblim/Qeveria përfundoni procesin e kalimit të parave për dëmshpërblimin financiar të banorëve të prekur nga tragjedia e Gërdecit. Tek përfituesit kanë kaluar tashmë mbi 1 miliardë e 337 milionë lekë. Pothuajse gjysma e banorëve të prekur nga shpërthimi i ndodhur më 15 mars në Gërdec kanë marrë dëmshpërblimin e tyre. Sipas një njoftimi nga Ministria e Financave, janë likuiduar nga Banka e Shqipërisë 2779 persona, nga 3825 persona që është numri total i tyre. Ndërkohë, Ministria e Financave njoftoi se ka përfunduar procesin e kalimit të parave për demshperblimin financiar te banoreve te prekur nga tragjedia ne Gerdec. Në llogari te përfituesve kanë kaluar tashmë plot 1 miliardë e 337 milionë e 123 mijë e 208 lekë, ndërsa nga donatorët janë grumbulluar në Bankën e Shqipërisë 466,982 mijë lekë. Nga shpërthimi i Gerdecit mbetën të vrarë 26 persona, mbi 300 u plagosën ndërsa u dëmtuan mijëra banesa dhe biznese në zonën përreth shpërthimit. Pothuajse gjysma e banorëve të prekur nga shpërthimi i ndodhur me 15 mars në Gërdec kanë marrë dëmshpërblimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›