Konfindustria: Gati krijimi i Tregut Rajonal të Ballkanit Perëndimor
Duke u nisur nga niveli tepër i ulët i shkëmbimit tregtar mes dy vendeve, edhe pse paraqesin elementë të përbashkët në shumë drejtime, bizneset shqiptare e shikojnë me mjaft shqetësim shkallën e ulët të bashkëpunimit me Kosovën. Konfindustria, në deklaratën e djeshme për shtyp, përmendte disa nga shkaqet që kanë sjellë nivelin e ulët të tregtisë mes dy vendeve dhe që janë: pengesat e shumta të natyrës infrastrukturore, institucionale, administrative, fiskale, tregtare deri dhe korruptive. "Këto shkaqe kanë lënë të pazhvilluara marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, me gjithë mundësitë dhe kërkesat e mëdha të dyanshme", thotë Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë. Bizneset industriale në vend vlerësojnë se qeveria ka mbetur vetëm te financimi i rrugës Durrës-Morinë, i cili nuk mjafton në forcimin e marrëdhënieve tregtare të të dyja vendeve. Nisur nga mungesa e politikave të qarta ekonomike, shkëmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kanë mbetur në shifra të ulëta prej vetëm disa dhjetëra milionë eurosh, ndërkohë që vetëm deficiti tregtar i të dyja vendeve kap shifra në mbi 4 miliardë euro. Konfindustria prej kohësh ka filluar përgatitjet për krijimin e Tregut Rajonal të Ballkanit Perëndimor sipas standardeve dhe kërkesave të integrimit në BE. "Strategjia është menduar të fillojë me krijimin e Tregut të Hapur Ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe më pas do të ftohen edhe vendet e tjera për të kaluar në Tregun e Hapur Rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi të jetë realizuar panairi i Elitës së Industrive Shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) etj.", thotë Buxhuku.