Berisha mban të bllokuar linjën elektrike me Kosovën
Prishtina zyrtare dyshon se tenderi do të anulohet, por me kosto ndaj KfW
Projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë Shqipëri, edhe më tej vazhdon të zvarritet nga qeveria e Shqipërisë, pavarësisht se pasojat ekonomike për të dyja shtetet vazhdojnë të jenë të mëdha.
Bllokimi për më se dy vjet i këtij projekti, edhe më tutje vazhdon tu krijojë të hyra marramendëse kompanive serbe të importit të energjisë. Ndërkaq, Kosovës dhe Shqipërisë tu krijojë dhjetëra miliona euro humbje, pasi që ndërtimi i kësaj linje do tu sillte këtyre dy shteteve pavarësinë nga linjat serbe.
Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit vazhdon të zvarritet edhe më tej, pasi që palët e kyçura në këtë projekt nuk kanë ndryshuar në qëndrimet e tyre. Qeveria e Shqipërisë për realizimin e projektit e do kompaninë boshnjake Energoinvest. Ndërkaq, banka gjermane KfW, si financuese e projektit e do kompaninë kroate Dalekovod. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, edhe më tutje nuk e zhbllokoi këtë projekt, pavarësisht se një bllokadë e tillë prej rreth dy vitesh mund ta çojë projektin në ritenderim, apo edhe ta vërë në dyshim edhe financimin e tij nga banka gjermane KfW. Burime të gazetës Zëri thonë se linjën e interkonjeksionit e pret ritenderimi, apo edhe dështimi i plotë, që nënkupton tërheqjen e Bankës gjermane KfW nga financimi i projektit. Sipas këtij burimi, gjermanët janë të shprehur qartë se asnjë mënyrë, projektin nuk do ta realizojë kompania e dytë e radhitur sipas pikëve, përkatësisht Energoinvest nga Bosnjë-Hercegovina.
Palët janë pajtuar me financuesin, në këtë rast me bankën gjermane se projektin do ta realizojë kompania që ka fituar më së shumti pikë në vlerësim, përkatësisht kompania Dalekovod nga Kroacia, pohon ky burim.
Ai shton se kompania boshnjake nuk mund ta realizojë në asnjë mënyrë këtë projekt. Ndërkaq, nëse projekti do të ritenderohet, atëherë, sipas burimit të Zërit, banka gjermane do të jetë shumë më rigoroze me palët, pasi ato nuk i janë përmbajtur marrëveshjes së parë të nënshkruar, duke e kthyer në fazën fillestare të gjithë projektin.
Në anën tjetër, zyrtare të OST-së në Shqipëri thonë se në vjeshtën e këtij viti qeveria e Shqipërisë planifikon ta nënshkruajë kontratën me kompaninë, e cila do ti kryejë punët në terren, por vetëm për lotin 2. Veledin Nanaj nga OST-ja tha se projekti i ndërtimit të linjës 400 kilovolt tek interkonjeksionit Shqipëri- Kosova përfshin dy lote. Nanaj tha se aktualisht, jemi duke bashkëpunuar ngushte me palën kosovare dhe bankën KfW për ecurinë e mëtejshme të procesit.
Marrë me shkurtime nga Zëri i Kosovës
Berisha mban të bllokuar linjën elektrike me Kosovën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip