E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Dëmi ndaj shtetit, gjysma i takon ARMO-s

Gazeta Shqip

Kompania u ka borxh tatimeve për taksat dhe Albpetrol-it për mallin e papaguar

Të dhënat zyrtare nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2011 paraqesin dëshmi shqetësuese sa u takon abuzimeve të zbuluara ndaj pronës publike dhe buxhetit në tërësi. Nëse në total, janë evidentuar rreth 70 milionë dollarë abuzime, gati 40 milionë i takojnë kompanisë së rafinerisë së naftës, ARMO, e privatizuar në masën 85 për qind të saj. Jo vetëm kaq, por së fundmi mësohet se kompania, me aksionerë kryesorë Taçi Oil, ka disa detyrime të papaguara në tatime, në vlerë rreth 20 milionë dollarë të tjera.

Kompania ARMO u privatizua nga qeveria në fund të vitit 2008 dhe u konsiderua si një nga shitjet më të suksesshme, me vlerë rreth 130 milionë dollarë, por tashmë kjo shoqëri po u hap telashe si arkës së shtetit, ashtu dhe kompanive të tjera, po në fushën e hidrokarbureve.

Në raportin e detajuar të KLSH-së, thuhet se, ARMO, ka marrë nga kompania Albpetrol rreth 35 milionë dollarë naftë, gaz dhe hollues, duke mos e paguar. Mospagimi i faturave ndaj kompanisë shtetërore, konsiderohet nga KLSH si shkelje ndaj pronës publike, ku duke llogaritur interesat për vonesat e shlyerjeve, arrin në total prej gati 40 milionë dollarësh. Sipas inspektorëve të KLSH-së, kompania ARMO nuk i ka shlyer detyrimet Albpetrol-it për furnizimin me naftë bruto, gaz natyror dhe hollues deri më datë 31.12.2010. Kompania shtetërore prodhon naftë dhe lëndë të tjera djegëse, një pjesë e të cilës blihet dhe përpunohet nga ARMO, industri përpunuese.

Situata mes dy kompanive, deri para pak vitesh partnere dhe me pronar të përbashkët, shtetin, është diskutuar edhe në komisionin parlamentar të ekonomisë, por kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, shprehu habinë, që borxhi nuk merr zgjidhje për aq kohë sa Albpetrol nuk e kërkon në rrugë gjyqësore. Vetë deputetët e opozitës kanë ngritur dyshime mbi faktin se si institucionet e shtetit, kryesisht Ministria e Ekonomisë i kanë lënë dorë të lirë ARMO-s për të vepruar me gjithë këto detyrime të papaguara. Ne kemi bashkëpunuar me METE-n dhe ky detyrim nuk po arkëtohet pasi vetë Albpetroli nuk po hedh në gjyq ARMO-n me një argumentim, se ne nuk kemi fonde për sigurimin e pagesës, sqaroi drejtori i Përgjithshëm i KLSH-së.

Gjendja e komplikuar e Albpetrol-it për shkak se ARMO nuk i shlyen detyrimet ka shkaktuar të tjera efekte zinxhir negativ për arkën e shtetit. Sipas inspektimeve të kryera nga tatimet, për shkak se të mosshlyerjes së faturave dhe për pasojë krijimit të situatës së vështirë financiare, kompania shtetërore e naftës nuk ka derdhur në buxhet devidentin (pjesën e fitimit të shtetit), në masën 1.2 milionë dollarë.

Sakaq, ARMO ka të tjera probleme, kësaj here me shtetin e Azerbajxhanit, për shkak të një shume të pakthyer në vlerë prej 75 milionë euro. Kompania shqiptare e përpunimit dhe tregtimit të naftës ARMO e privatizuar në vitin 2008 nga konsorciumi i përfaqësuar nga Rezart Taçi, AMRA Oil rrezikon të kalojë në pronësi të qeverisë së Azerbajxhanit. Gjykata e Tiranës ka vendosur të vërë nën sekuestro konservative 85 për qind të aksioneve të ARMO-s që zotërohen nga AMRA Oil dhe të gjitha llogarive bankare të kësaj kompanie.

Gjyqi

Azerbajxhani bllokon ARMO-n

Vendimi është marrë me kërkesë të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, që kontrollohet nga qeveria e këtij vendi. Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro konservative ndaj kompanisë ARMO për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë eurosh, që është marrë nga AMRA Oil për blerjen e ARMO-s. Gjykata po ashtu ka kërkuar vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të shoqërisë AMRA Oil, mbi llogaritë bankare të shoqërisë ARMO, mbi pasuritë e paluajtshme të shoqërisë ARMO dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi gjendjen e stokut të kësaj shoqërie deri në përfundim të gjykimit. Në vendimin e marrë nga gjyqtari Ilir Çeliku thuhet se sekuestroja vendoset për një shumë jo më të madhe se 75 milionë euro. Vendosja e rafinerisë ARMO në sekuestro preventive për llogari të një banke shtetërore azerbajxhanase, si dhe privatizimi i Albpetrol-it këtë vjeshtë mund të krijojë një situatë ku Presidenti i Azerbajxhanit, Alyiev, të kontrollojë një copë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Ndërkohë, burime diplomatike bëjnë të ditur se një kompani me lidhje me Azerbajxhanin është kandidati më i mundshëm për privatizimin e Albpetrolit.

Detyrimi

Gjyqi me Albpetrol-in

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për konfiskimin e ARMO-s më 8 gusht erdhi vetëm një javë pasi kompania Albpetrol dorëzoi një kërkesë të ngjashme për një borxh disavjeçar të vjetër që ARMO i ka pa shlyer. Albpetroli është kritikuar në shumë raste, (përfshirë edhe nga një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar) për faktin se ka për të marrë 5 miliardë lekë, (rreth 35 milionë euro) nga ARMO, por nuk ka bërë asnjë përpjekje përgjatë shumë viteve. Përkimi i dy padive, i bankës azere nga njëra anë dhe i Albpetrolit nga ana tjetër, mund të sjellë konfiskimin total të 85 për qind të aksioneve të ARMO-s nga dy borxhlinjtë.

Skandali

Anulohen pushimet në Moskë

Kompania Albpetrol kishte parashikuar të çonte 80 punonjës të saj me pushime në Moskë, Rusi, me një kosto prej 70 milionë lekësh, madje kishte hapur dhe tender. Megjithatë, fakti se tenderi zhvillohej dy ditë para privatizimit të ndërmarrjes dhe se në garë pritet një ofertë e fuqishme nga dy kompani ruse konkurruese për privatizimin, shkaktoi dyshime të forta në opinion, aq sa drejtuesit e Albpetrol sqarojnë se udhëtimin për qëllime turistike është anuluar. Kompania dhe vetë bordi mbikëqyrës për të shmangur çdo abuzim, keqkuptim apo manipulim të qëllimshëm të opinionit publik, kanë vendosur anulimin e të gjitha procedurave për këtë udhëtim, thuhet në sqarimin e shoqërisë, e cila gjithsesi justifikohej se udhëzimi ishte parashikuar një vit më parë dhe se koha ishte thjesht një rastësi. Në garë për të blerë Albpetrolin janë, ndër të tjera, Gazprom dhe Rusneft, dy kompani të fuqishme hidrokarbure, nën drejtimin e qeverisë së Moskës.

KLSH: Dëmi ndaj shtetit, gjysma i takon ARMO-s burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›