E Shtunë, 31 Tetor 2026

Censusi per njesite ekonomike bujqesore e blegtorale

Ministria e Brendshme ne bashkëpunim edhe me INSTAT kanë nisur një fushatë intensive me të gjitha njësitë vendore për realizimin me sukses të procesit të regjistrimit të njësive ekonomike bujqësore dhe blegtorale në rang vendi. Në një takim me kryetarët e komunave dhe bashkive zëvendës ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni dhe drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja i kanë njohur përfaqësuesit lokal me të gjithë procedurën dhe afatet për vijimin e këtij procesi të konsideruar prej tyre të rëndësishëm por edhe delikat pasi tashmë ka arritur në terren dhe do të jenë pikërisht krerët e pushtetit vendor ata që do ta përçojnë më tej këtë detyrë. 
Data 22 gusht do të jetë afati përfundimtar i ngritjes së komisioneve pranë bashkive dhe komunave ku do të jenë të përzgjedhur në bazë të standardeve të përcaktuara anketuesit dhe trupi i anketuesve do të jetë i certifikuar nga INSTAT deri më 15 shtator.  Drejtoresha e zyrës së statistikave znj. Nurja ka sqaruar se ky proces ka vetëm qëllime statistikore, për të njohur atë se çfarë ndodh me prodhimin bujqësor dhe blegtoral në vendin tonë, njohja me produktet bujqësore e blegtorale.
Regjistrimi i Përgjithshëm i Njësive Ekonomike Bujqësore e blegtorale ndihmon në forcimin e tyre dhe i krijon qeverisë shqiptare mundësi për hartimin e politikave efikase të zhvillimit ekonomik të vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›