Kongresi i PS: Përshkallëzim i protestave për transparencë
Drafti fillestar i rezolutës ka pësuar një sërë ndryshimesh pas propozimeve të paraqitura nga delegatët dje në sallën e Kongresit
TIRANË- Përshkallëzim i protestave deri në zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe forcim të luftës politike në funksion të mbrojtjes së shtetit të së drejtës dhe interesave të qytetarëve nga kriza ekonomike.
Këto janë piketat kryesore ku Partia Socialiste do të fokusojë aksionin e saj politikë në ditët në vijim, të cilat janë bërë pjesë e rezolutës së miratuar dje nga Kongresi i socialistëve, si institucioni më i lartë vendimmarrës i kësaj force.
Rezoluta
Në emër të Partisë Socialiste deputetja e Tiranës Vasilika Hysi ka prezantuar dje në përmbyllje të pikës së parë të rendit të ditës së Kongresit, projekt-rezolutën, e cila në vetvete përbënë një plan orientimi të veprimtarisë politike të kësaj partie në muajt në vijim.
"Të vetëdijshëm për verbërinë pushtetit përballë situatës që karakterizohet nga ulja ekonomike, rritja e deficit buxhetor, rritja e borxhit, përkeqësimi i situatës financiare dhe klimës së biznesit, duke vlerësuar transparencën e shifrave të ekonomisë, të shqetësuar për mungesën e vullnetit politik të pushtetit për zgjidhjen e krizës, PS-ja është e angazhuar për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe politike"- tha Hysi.
Pasi ka bërë një parashtrim të situatës politike dhe ekonomike në vend, ka renditur rreth 16 pika, në të cilat detajohet angazhimi i kësaj force dhe gjithë strukturave të saj nga baza deri në qendër.
Kështu së pari PS-ja angazhohet të kontribuojë në respektim të ligjit dhe Kushtetutës, në përputhje me standardet evropiane në zgjidhjen e krizës politike në vend dhe forcimin e demokracisë, të kërkojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si e drejtë kushtetuese, si dhe të vazhdojë të adresojë kthimin e besimit të votës së lirë përmes hetimit të plotë parlamentar në përputhje me nismën ligjore të bërë publike nga opozita.
Gjithashtu një vend të veçantë në këtë rezolutë zë edhe vullneti i shprehur nga socialistët për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit dhe veçanërisht në atë të liberalizimit të vizave. Ndërsa tre pika të rezolutës i kushtohen pikërisht krizës ekonomike dhe rrugëve për të dalë prej saj, një çështje kjo së cilës dje gjatë kongresit iu kushtua një vëmendje shumë e madhe.
Nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së kongresit edhe situata në parlamentin shqiptar, ku opozita po gjen gjithnjë e më pak hapësira për të shprehur qëndrimet e saja. Për këtë arsye, PS-ja angazhohet të luftojë për mbrojtjen e parlamentarizmit dhe të drejtat e opozitës, si dhe për rikthimin e këtij institucioni në misionin e tij, pluralist mes zbatimit të një reforme parlamentare që garanton rolin dhe kontrollin e opozitës.
Në orbitën e interesit të PS-së do të jenë edhe plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, për të cilën kjo forcë politike kërkon transparencë në zgjedhjen e kandidatëve. Një pikë e rezolutës i është kushtuar edhe vrasjes së deputetit socialistë Fatmir Xhindi, për të cilën PS-ja kërkon zbardhjen e ngjarjes.
Ndryshimet
Por drafti fillestar i propozuar prej Hysit ka pësuar një sërë ndryshimesh pas propozimeve të paraqitura nga delegatët dje në sallën e Kongresit. Ndër pikat kryesore të cilat janë marrë parasysh kanë qenë ato të delegatëve të Fierit, të cilët kanë kërkuar që në rezolutë të sanksionohet se PS-ja do të përshkallëzojë protestat e saj deri në hetimin e plotë të zgjedhjeve të shkuara parlamentare.
Gjithashtu një ndryshim tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe ai i propozuar nga delegatët e Tiranës të cilët i kanë kërkuar drejtuesve të partisë që zgjerojnë koalicionin opozitar me grupe të ndryshme interesi.
Pikat e Rezolutës
Të bindur në drejtësinë e kauzës sonë për transparencë Kongresi i PS-së vendos:
Të kontribuojë në respektim të ligjit dhe Kushtetutës, në përputhje me standardet evropiane në zgjidhjen e krizës politike në vend dhe forcimin e demokracisë.
Të vazhdojë të kontribuojë në vazhdimin e procesit të integrimit evropian, duke e vendosur këtë në qendër të bashkëpunimit politik.
Të kontribuojë për heqjen e regjimit të vizave, duke ofruar ekspertizën e opozitës në procesin e liberalizimit, për përmbushjen e standardeve të kërkuara duke i bërë thirrje institucioneve të PE-së dhe qeverive të vendeve anëtarë të BE-së ku qeverisin partitë simotra.
Të kërkojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si e drejtë kushtetuese.
Të vazhdojë të adresojë kthimin e besimit të votës së lirë përmes hetimit të plotë parlamentar në përputhje me nismën ligjore të bërë publike nga opozita.
Të përshkallëzojë protestat për aq kohë sa qeveria të bëjë transparencën e zgjedhjeve.
Të kërkojë me forcë transparencën e shifrave të ekonomisë dhe dhënien fund të mashtrimit publik me shifra të deformuara politikisht.
Të kontribuojë në stabilitetin makro ekonomik duke kërkuar konsolidimin e mekanizmave mbrojtës.
Të këmbëngulë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe mbrojtjen e investitorëve vendas e të huaj.
Të luftojë për mbrojtjen e parlamentarizmit dhe të drejtat e opozitës.
Të luftojë për rikthimin e kuvendit në misionin e tij, pluralist mes zbatimit të një reforme parlamentare që garanton rolin dhe kontrollin e opozitës.
Të luftojmë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë të institucioneve kushtetuese dhe sistemit gjyqësor.
Ruajtjen dhe forcimin e pavarësisë së Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, duke kërkuar proces transparent për zgjedhjen e kandidatëve të rinj.
Të kërkojmë zbardhjen e menjëhershme të vrasjes së kolegut tonë Fatmir Xhindit.
Fund presioneve antiligjore dhe joetike ndaj medias, rishikimi i kuadrit ligjor për TV publike dhe private.
Të vazhdojmë përpjekjet për kthimin e besimit tek KKRT-ja dhe TVSh-ja dhe ndalimin e reklamave qeveritare jashtë periudhës zgjedhore.
Ti ngarkojë Asamblesë dhe Grupit të përcaktojë raportin për marrëdhëniet e kushtëzuara me Kuvendin.
Të zgjerohet koalicioni me grupet e interesit.