Berisha mbledh Task Force për reformën e inspektorateve, pritet riorganizim i brendshëm Kryeministri Berisha drejtoi dje mbledhjen e Task Force-s për reformën në sistemin e inspektorateve

Kryeministri Berisha drejtoi dje në mbrëmje takimin e Task Force-s për reformën e inspektorateve, e cila, në përmbyllje të një periudhe diskutimesh e analizash, arriti në përfundimin për thjeshtimin e sistemit të inspektorateve në vend nga 33 aktualisht, në 12 dhe riorganizimin e brendshëm të tyre. Kreu i Qeverisë duke e vlerësuar reformën e sistemit të inspektorateve të një rëndësie themelore, shprehu bindjen se modeli i përzgjedhur do të jetë një model suksesi. “Ne, duhet të veprojmë me shpejtësi, sepse vetë situata aktuale e inspektorateve është çmobilizuese për to. Duhet që sa më shpejt inspektoratet të ristrukturohen, sa më shpejt të miratojmë ligjin horizontal të funksionimit të tyre, skemën e organizimit të brendshëm të tyre, por edhe pagat e shpërblimet”, tha Berisha. Ai konsideroi se një dimension i rëndësishëm i kësaj reforme, pa të cilin nuk do të mund të ketë sukses, është vendosja e sistemit të e-inspektorat. Vetëm duke vendosur këtë sistem, vijoi Kryeministri, qeveria do të imponojë një shkallë të lartë transparence të inspektorateve të tyre. Në fund të takimi, kreu i ekzekutivit kërkoi që brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor.