Bushati: PS dhe opozita, gjithnjë në mbështetje të proceseve integruese të vendit Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati

Partia Socialiste dhe opozita shqiptare kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të proceseve integruese të vendit. Kjo është deklarata e bërë sot nga deputeti socialist, Ditmir Bushati. Përmes një komunikimi për mediat ai tha se “integrimi në Bashkimin Evropian nënkupton mbi të gjitha adoptimin e vlerave dhe parimeve që qëndrojnë në themel të këtij unioni dhe pikërisht në emër të këtyre vlerave e parimeve po zhvillohet sot beteja e opozitës shqiptare”. “Është kjo një betejë për mbrojtjen e votës së lirë, garantimin e transparencës së zgjedhjeve, të ndërtimit dhe fuqizimit të institucioneve demokratike në shërbim të qytetarit e jo pushtetit, të shifrave të ekonomisë e të gjithë atyre vendimeve që ndikojnë në jetën e shqiptarëve”, deklaroi Bushati. Sipas tij, vetëm garantimi i standardeve të sipër cituara e jo propaganda boshe e kryeministrit është rruga përmes së cilës kalon integrimi i Shqipërisë në familjen Evropiane.