Përgjigjet e Pyetësorit për statusin e vendit kandidat të BE, nesër në Bruksel Kryeministri Berisha paraqet variantin elektronik të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, që do t'i dorëzohen nesër

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, prezantoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave materialin e përfunduar të përgjigjeve të pyetësorit që do t’i dorëzohet nesër Komisionit Evropian. Ai përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt BE-së, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendime, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë. “Ftoj edhe një herë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialet e saj, për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarëve”, apeloi kreu i ekzekutivit shqiptar. Kryeministri Berisha tha se “përgjigjet, e paraqitura në 3854 faqe, që u korrespondojnë 2284 pyetjeve, përshkruajnë të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe paraqesin thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë”. Ai e konsideroi paraqitjen e përgjigjeve të pyetësorit një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian. “Në këtë proces, hapësira është e gjerë për kontributin e të gjithë faktorëve, të mazhorancës qeverisëse, të opozitës, të shoqërisë civile, të biznesit, të botës akademike, të rinisë, grave, pra, çdo faktor, çdo element i shoqërisë shqiptare, që ka bindjen e thellë se për shqiptarët, ky është projekti kryesor, duhet të angazhohet me të gjithë potencialin e tij, për të kontribuar”, theksoi kreu i Qeverisë. Më pas, Berisha njoftoi nisjen e menjëhershme të përgjigjeve të pyetësorit, sëbashku me kopjen elektronike të tyre, për në Bruksel.