E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miraton tre marrëveshje Gjatë punimeve në Komisionin e Ligjeve

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot tre marrëveshje të rëndësishme, synimi i të cilave është rehabilitimi i infrastrukturës rrugore dhe lokale, nxjerrja e Shqipërisë për herë të parë në tregun ndërkombëtar me anë të bonove si dhe një projektligj për forcën shumëkombëshe të paqes në Evropën Juglindore. Projektligji për “Ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale” synon realizimin e objektivave të qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe parashikon ndërtimin e 1000 deri në 1500 km rrugë rajonale dhe lokale me një kosto të përgjithshme rreth 300-400 milionë dollarë. Në vlerësimi të këtij projektligji, deputetët e Komisionit të Ligjeve theksuan se këto investime përputhen me strategjinë prioritare të qeverisë për rehabilitimin e infrastrukturës në të gjithë zonat rurale. Pasi dëgjuan ekspertët e Ministrisë së Financave lidhur me përparësitë dhe objektivat e këtij projektligji, anëtarët e Komisionit të Ligjeve miratuan projektligjin. Në vijim, Komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim dhe miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së mandatimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Deutche Bank AG, London e J.P.Morgan Securities, LTD, si menaxherë bashkëdrejtues, për transaksionin e emetimit të Eurobondit, deri në 400 milionë Euro dhe miratimin e dokumenteve të tjera të transaksionit”. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, nënvizohet se në kuadër të plotësimit të nevojave të huamarrjes për financimin e shpenzimeve kapitale për vitin 2010, Ministria e Financave vendosi të emetojë eurobondin e parë në historinë e vendit,duke shënuar nxjerrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare financiare të kapitalit. Ekspertët e Ministrisë së Financave theksuan se financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për të plotësuar nevojat e buxhetit të shtetit për të financuar shpenzimet kapitale në euro. Një tjetër projektligj që u diskutua dhe më pas u miratua në Komisionin e Ligjeve ishte edhe ai për “Ratifikimin e Protokollit të Pestë Shtesë të Marrëveshjes për Forcën Shumëkombëshe të Paqes në Evropën Juglindore”, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak midis vendeve të Evropës Juglindore në misionet paqeruajtëse të SEEBRIG-ut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›