E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbledh Task-Forcën: “Në katër vjet do të mbjellim 20 milionë rrënjë ulliri”



Kryeministri Berisha mblodhi në një takim Task-Forcën për projektin e ullirit, për të diskutuar mbi ecurinë e punës me këtë projekt. Kryeministri Berisha ritheksoi edhe njëherë se ky është projekti më i rëndësishëm i katërvjeçarit në vijim, që synon mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj në vend. Kryeministri Berisha siguroi mbështetjen e qeverisë për të gjitha strukturat që merren me zbatimin e këtij projekti dhe u kërkoi atyre që të gjejnë skemat e duhura për nxitjen e mbjelljes së ullinjve dhe realizimit me sukses të plotë të projektit ambicioz. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, bëri me dije se mbështetja e dhënë për vitin 2009 për mbjelljen e ullishtave të reja ka qenë shumë efektive, ndërkohë që kërkesat për mbjellje të reja kanë qenë 2 herë më të larta se në vitin 2008. Gjatë vitit 2009, për sektorin e ullirit janë dhënë 104 milionë lekë, nga 1.1 miliard lekë të dhëna në total për subvencionimin në bujqësi. Në takim u bë e ditur se janë evidentuar tashmë të gjitha sipërfaqet e ullishtave ekzistuese, gjendja reale e tyre dhe masat që duhet të merren për rehabilitimin e rreth 17 000 ha ullinj. Gjithashtu, janë përcaktuar edhe të gjitha sipërfaqet që do të mbillen me ullishte të reja, që arrijnë në 60 ha gjithsej. Në takim u analizua gjendja e industrisë përpunuese të vajit dhe nevojat e këtij sektori për t’iu përgjigjur rritjes së prodhimit në 10 vitet e ardhshme.

Meta nënshkruan tri marrëveshje për bashkëpunimin me Malin e Zi

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ka nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve. Meta ka zhvilluar një takim me homologun malazez Milan Roæen. Gjatë këtij takimi shefi i Diplomacisë shqiptare u shpreh optimist për marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke i cilësuar ato si “model për dy vendet fqinje që duan të ecin në rrugën e integrimit”. Duke i konsideruar marrëveshjet e nënshkruara si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, ministri i Jashtëm Meta u shpreh për përfaqësuesit e mediave shqiptare dhe malazeze se “në të ardhmen do të hartohen edhe shumë projekte të përbashkëta në fushën e mjedisit, energjetikës etj”. “Këto vende kanë një vizion dhe një objektiv të përbashkët për të ardhmen, anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe zgjerimin e NATO-s me anëtarësimin e Malit të Zi. Me anëtarësimin e Malit të Zi në këtë organizatë bregdeti i Adriatikut do të jetë i integruar në NATO”, - është shprehur Meta, duke shtuar se kjo siguri në rajon do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik. Sipas zëvendëskryeministrit shqiptar, “aktualisht jemi në një epokë të re ku konkurrojnë rajonet që krijojnë një mundësi më të madhe për investimet e huaja. Shqipëria dhe Mali i Zi, përmes një bashkëpunimi të ngushtë, do të forcojnë paqen dhe sigurinë, duke forcuar edhe situatën ekonomike”, - është shprehur shefi i Diplomacisë shqiptare. Meta dhe homologu i tij malazez, Roæen, nënshkruan në Podgoricë marrëveshjen "Për rikonstruksionin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe sinjalistikave përgjatë kufirit shqiptaro-malazez"; marrëveshjen mbi "Lëvizjen e ndërsjellë të qytetarëve" dhe Marrëveshjen e Ripranimit.

7 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›