E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers për dhunën ndaj gazetarëve: “Organet e Drejtësisë ta kryejnë procesin pa ndërhyrje”



Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers, ndërsa ka dënuar aktin e dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, u ka bërë thirrje organeve të Drejtësisë që të çojnë deri në fund hetimin e çështjes, pa pasur ndërhyrje nga politika. Gjatë fjalës së mbajtur dje në një takim të organizuar nga Unioni i Gazetarëve, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë u shpreh se akti i ushtrimit të dhunës është i patolerueshëm, veçanërisht për një vend që është anëtar i NATO-s dhe aspiron integrimin në BE. Withers theksoi gjatë fjalës së tij se Shqipëria duhet të vërtetojë se e meritonte anëtarësimin në NATO. Në këtë tryezë bisedimi me temë “Dhuna dhe informaliteti në media” merrnin pjesë edhe ambasadorë të tjerë, si ai i prezencës së OSBE-së, Robert Bosh, analistë, drejtues të mediave dhe gazetarë. Që të gjithë, në një zë të përbashkët, dënuan dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze dhe bënë thirrje për hetimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Thirrja
“Mos u dorëzoni përpara kanosjes! Mos u dorëzoni përpara kërcënimeve! Mos u dorëzoni përpara dhunës! Ajo që ju keni në duar nuk është thjesht një profesion, nuk është thjesht një mënyrë për të fituar jetesën. Ju mbani në duar një nga parimet më të bekuara të demokracisë. Luftoni për të sepse ia vlen. Ia keni borxh këtë profesionit tuaj, ia keni borxh këtë kombit tuaj dhe ia keni borxh këtë vetes tuaj”. Kjo është thirrja që Withers bëri dje gjatë fjalës së tij për të gjithë komunitetin e gazetarëve. Ai e cilësoi tragjike dhe të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Baze. “Fatkeqësisht, takimi ynë i parë ndodh nën hijen e një ngjarjeje tragjike të papranueshme. Një nga kolegët tanë, një nga anëtarët e bashkësisë së gazetarëve shqiptarë dhe një nga miqtë e mi, Mero Baze, u sulmua në mënyrë të paprovokuar dhe të pafalshme disa net më parë. Autorët e pretenduar të këtij sulmi janë njerëz të njohur për të gjithë ne, për të gjithë ju, njerëz, në dukje, të parë si me nivel e gjykim të shëndoshë, derisa ky incident provoi të kundërtën. Ata ishin persona që kanë qenë objekt i artikujve të Bazes, në të cilët ai ka qenë mjaft kritik mbi gjërat që ata mendohet se kanë bërë, apo jo? Por, sado të acaruar të kenë qenë ata, sado të provokuar që ta kenë ndjerë veten, në demokraci nuk ka asnjë justifikim, në kurrfarë rrethanash apo kushtesh, përdorimi i dhunës për të mos lejuar shprehjen e lirë të fjalës së shtypit”, - është shprehur ambasadori i SHBA-ve në Tiranë.
Ai theksoi se një ngjarje e tillë ndodh në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron për integrimin në BE. “Por ky incident ka implikime dhe pasoja më të mëdha sesa thjesht akti i këtij sulmi. I tillë është edhe ky moment sot për Shqipërinë. Shqipëria është një vend në prag të integrimit në disa nga institucionet më të rëndësishme, më të mirënjohura ndërkombëtare që ne kemi. Është tashmë anëtare e NATO-s dhe po përpiqet të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Shqipërisë i duhet të provojë se është e denjë për anëtarësinë në këto aleanca të mëdha. Dhe unë ju them sot se një provë e gatishmërisë suaj do të jetë se si institucionet e këtij vendi do t’i përgjigjen sulmit të kolegut tonë Mero Baze”, - është shprehur Withers, ndërsa u ka bërë thirrje organeve të Drejtësisë që të reagojnë sa më parë. “Unë e përshëndes apelin e Berishës për hetim të plotë dhe të menjëhershëm të fakteve dhe që sistemi i Drejtësisë në Shqipëri të kryejë procesin pa ndërhyrje”, - është shprehur Withers, ndërsa theksoi se do të ishte e papranueshme në rast se nuk do të ndodhë asgjë pas këtij incidenti.
Duke iu referuar deklaratave të ndryshme, Withers komentoi zërat në media që u shprehën se dhuna është e drejtë në disa raste. “U trishtova kur gjatë disa bisedave private me qeveritarë të lartë pashë të njëjtin qëndrim. Veçanërisht u shokova kur dëgjova mbrëmë në programin televiziv ‘Opinion’ Frangajn, i cili është i lidhur ngushtë me median dhe nga i cili mund të presësh shumë, që dukej se justifikonte faktin që në raste mendimesh të kundërta dhuna na qenka e drejtë. Dua t’i them atij që nuk pajtohem me këtë mendim, por dua t’i them atij gjithashtu që, gjithsesi, unë i njoh atij të drejtën e të shprehurit të mendimeve me të cilat unë nuk bie dakord, në një kohë kur ai nuk duket se dëshiron t’u njohë të tjerëve të njëjtën të drejtë”, - është shprehur ambasadori amerikan.
Dënimi
Në të njëjtën vijë me zyrtarin amerikan ishte edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Ndërkohë i ashpër ka qenë reagimi i gazetarëve dhe analistëve pjesëmarrës në këtë takim, të cilët e quajtën dhunën ndaj zotit Baze si treguesin më të fundit të dhunës shtetërore që ushtrohet mbi mediat. “Ne do ta përgëzojmë kryeministrin dhe qeverinë kur të heqin dorë nga kontrolli bolshevik mbi Televizionin Publik Shqiptar”, - u shpreh analisti Mustafa Nano. Veç ambasadorit Withers, atij të OSBE-se Robert Bosh dhe gazetarëve dhe analistëve të medias së shkruar dhe televizive, në takim ka marrë pjesë edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Suedisë, që ka edhe presidencën e radhës në Bashkimin Europian.

7 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›