E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mbledh krerët e komuniteteve, mungon Janullatos

 Mesazhet e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare u përçuan edhe në takimin e zhvilluar në rezidencën qeveritare Vila 31.

Në këtë drekë merrnin pjesë: Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman, Baba Edmond Brahimaj, Kryetar i Kryegjyshatës Botërorë të Bektashinjve, imzot Rrok Mirdita, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Republikës së Kosovës, Imzot Zef Gashi, Ipeshkvi i Tivarit, etj.

Në njoftimin e kryeministrisë nuk thuhet nëse ishte i pranishëm edhe Kryepeshkopi ortodoks Janullatos. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për kontributin e rolin e tyre frymëzues, në konsolidimin e infrastrukturës shpirtërore të kombit shqiptar dhe  kultivimit të mesazhit të çmuar të mirëkuptimit e harmonisë.

"Në 100 vjet udhëheqësit shpirtërorë të shqiptarëve kanë pasur nga Lidhja e Prizrenit deri në ditën e sotme, një rol themelor në zhvillimet pozitive të këtij kombi, kanë gjetur në të gjitha rastet mirëkuptimin e përbashkët, për të çuar përpara një çështje të drejtë, lirisë kombëtare", tha Berisha. Ai vuri theksin mbi punën e madhe dhe përkushtimin e veçantë që bashkësitë fetare bëjnë në ndërtimin dhe konsolidimin e infrastrukturës shpirtërore të kombit shqiptar.

 "Roli dhe kontributi juaj është themelor dhe është frymëzues. 20 vjet më parë, për rrethana të caktuara, Shqipëria ishte vendi i lindjes apo më e drejtë është të themi rilindjeve, rilindjes së besimeve, rilindjes së pluralizmit politik, atij pronësor etj., por ajo rilindje që ka ecur e është zhvilluar në mënyrën më njerëzore e të civilizuar jeni ju, besimet fetare, të cilat jeni bërë një shembull frymëzues për shoqërinë shqiptare, por dua të theksoj se jo vetëm për shoqërinë shqiptare", tha Berisha. /Start/

                                                                                             2011-12-22 17:28
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›