Berisha mbyll vizitën në Mynih: Gjithçka për rritjen ekonomike

Kryeministri Berisha ka deklaruar se modeli ekonomik i Shqipërisë do të vazhdojë të bazohet në standarde liberale, të cilat do zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në mbyllje të vizitës së tij në Mynih, në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do bëjë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike.
“Do të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që kemi në vend për të nxitur atë, për të zgjeruar hapësirën, për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë” ka theksuar Berisha.
Sipas kryeministrit, Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 përqind, rritje në distancë më të lartën në Evropë.
“Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin” ka shtuar më tej kryeministri.
Konferenca e 48-të e Sigurisë që u zhvillua në Mynih të Gjermanisë kishte si temë kryesore krizën ekonomike, krizën e borxheve dhe krizën e euros.Kjo konferencë, e themeluar në vitin 1962, ka një traditë të gjatë në diskutimin e politikave të sigurisë dhe është kthyer në evenimentin më të madh botëror në këtë fushë. Çdo vit ajo bashkon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikëbërjes, mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias, për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet bota, për të identifikuar sfidat e ardhshme të sigurisë dhe për të gjetur zgjidhjet e tyre.