E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha me Spindelegger, merr armët e Skënderbeut për 100 vjetor

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Kroaci në kuadër të samitit të Dubrovnikut, zhvilloi dje në mbrëmje, një takim me Zëvendëskancelarin dhe Ministrin e Jashtëm të Austrisë, zotin Michael Spindelegger.
 

Zëvendëskancelari Spindelegger, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, i shprehu Kryeministrit Berisha urimet për 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e quajtur atë një jubile të madh për vendin. Në këtë kontekst, zoti Spindelegger premtoi se përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen në Shqipëri për t`u ekspozuar për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike. Gjithashtu, ai bëri të ditur se Austria do të marrë pjesë në festimet për 100 vjetorin e pavarësisë me përfaqësues të autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe lidhjeve të ngushta midis të dy vendeve e popujve.

Zoti Spindelegger garantoi gjithashtu se Austria do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtjeshme drejt integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Kryeministri Berisha e falenderoi përzemërsisht zëvendëskancelarin Spindelegger për të dy lajmet e mira; të ekspozimit në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, si edhe për përfaqësimin e Austrisë në festimet e këtij jubile, përmes autoriteteve më të larta. Kryeministri, duke sjellë në vëmendje, me vlerësimin më të lartë, kontributin e jashtëzakonshëm të Austrisë e kombit mik austriak në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë në atë periudhë kritike për fatet e kombit dhe pavarësisë së Shqipërisë, tha se shqiptarët ndihen shumë të lumtur dhe mirëpresin me kënaqësi të veçantë lajmin që autoritetet e larta të Austrise mike do të na nderojnë me pjesëmarrjen në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Në memorien e kombit, - u shpreh Kryeministri, - kontributi i Ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontit Bertochd dhe i vendeve mike Austrisë e Hungarisë do të qëndrojë përhere në altarin më të lartë të vlerësimit të kombit shqiptar.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thelle për mbështetjen e vazhdueshme të Austrise, gjatë gjithë kësaj periudhe, për mbështetjen për statusin e vendit kandidat dhe ecjen përpara me integrimin. Një falenderim të veçantë, Kryeministri Berisha i bëri Zëvendëskancelarit austriak për projektet e suksesshme të bashkëpunimit midis të dy vendeve që po implementohen në Shqipëri, si ai në fushën e regjistrit elektronik të pronave dhe projekte të tjera, por edhe vlerësimin për suksesin e investitorëve të rëndësishëm austriakë në sektorë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare si ai i prodhimit të energjisë hidrike etj..

Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Zëvendëskancelarin Spindelegger me zhvillimet e fundit në Shqipëri, rezultatet e reformave në të gjitha fushat, në veçanti me punën intensive që po bëhet mbështetur mbi Planin e Veprimit për përmbushjen e rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian dhe ecurinë shumë pozitive të këtij procesi gjithëpërfshirës.

Kryeministri Berisha e njohu Zëvendëskancelarin Spindelegger me ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, rritjen e investimeve të huaja, por edhe të eksporteve shqiptare, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar për biznes, investime e turizëm. Shqipëria sot, tha Kryeministri, vizitohet nga të gjitha skajet e Europës e më gjerë.

Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi përzemërsisht atë në Shqipëri. Zot Spindelegger, duke e pritur me kënaqësi ftesën, i shprehu edhe një herë Kryeministrit, përgëzimet për arritjet e mëdha të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›