Dixhitalizimi i hipotekes Berisha Me reformat tona qytetaret fitojne kohe
Shqipëria dixhitale është Shqipëria e shërbimit më të qytetëruar dhe më transparent dhe në realizimin e plotë të kësaj nisme në mbarë vendin janë 120 projekte, të cilat ecin me shpejtësi. Kështu u shpreh sot Kryeministri, Sali Berisha gjatë aktivitetit për dixhitalizimin e hipotekës.
“Projektet e hipotekës meritojnë të klasifikohen si më të shkëlqyerat. Brenda një kohe të shkurtër kjo zyrë e shndërroi në realitet, një nga shërbimet më jetike për qytetarët. Gjurmueshmëria është forma më e pastër, më transparente, më e shpejtë më e pakushtueshme për qytetarin dhe biznesmenin, por njëkohësisht ajo është një mekanizëm jashtzakonisht rëndësishëm në disiplinimin e burokratëve të administratës, zyrtarëve të saj”, vuri në dukje Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, ky sistem mbi të gjitha u jep qytetarëve shqiptarë kohën.
“Ne më shumë se çdo gjë përpiqemi me reformat tona që t’u japim atyre kohën: më të çmuarën. Ndërtojmë rrugë që t’u shkurtojmë distancën. Vendosim këtë sistem se duam me çdo kusht që të shpenzojmë kohën minimale për të kursyer kohën e tyre”, u shpreh Berisha, sa i takon një çështje të tillë.
Njëkohësisht, në fjalën e tij përshëndetëse, shefi i qeverisë evidentoi një element të këtij projekti, ku vendosja e sistemit të gjurmueshmërisë u ndërtua nga ekipi i IT-së së zyrës, për këtë arsye, Berisha përcolli urimet për ekpin që mundësoi një projekt të tillë.
Pasi qytetarët i kryejnë transaksionet e tyre në hipoteka përmes një portali, duke deleguar çdo gjë tek veprimet e noterit dhe sisitemi online, një portal i ri vihet në funksion të qytetarëve, i cili vlerësohet si kulmi i transparencës në praktikat dixhitale të vendosura deri tani në vend. Ajo që e bën të tillë unik në rajon, siç u shpreh Ministri i Drejtësisë Halimi, është fakti se përmes një sistemi gjurmimi, qytetarët vëzhgojnë online çdo veprim të zyrës së regjistrimit të pasurive duke u paraqitur vetëm një herë për shërbimin që kërkojnë.