E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha me anëtarin e Byrosë së PK të Kinës: Biznesi kinez i mirëpritur

Kryeministri Berisha është takuar sot me anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës Liu Çi. Në këtë takim, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi ekonominë e Kinës, si një prej vendeve më ritme më të larta zhvillimi. Duke folur për situatën ekonomike në vend, Berisha ka theksuar se raporti i Bankës Botërore jep vlerësime pozitive për situatën. Në këtë linjë ai ka ftuar biznesin kinez që të investojë në Shqipëri, si një vend i sigurt.

Kryeministri theksoi se investitorët kinezë janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri si dhe të përfitojnë nga investimet në infrastrukturë dhe punë publike, qoftë në sektorin publik dhe atë privat. Ai inkurajoi investime në infrastrukturën portuale, në energjetike, miniera, në turizëm, etj dhe siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për to.

“Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, Kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze që mund ta shfrytëzojnë këtë pozitë të favorshme për penetrim të mëtejshëm në tregjet evropiane” bën të ditur zyra e shtypit e Kryeministrit.

Anëtari i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës zoti Liu Çi falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore dhe i përcolli përshëndetjet e Sekretarit të Partisë Komuniste të Kinës Hu Jintao dhe të Kryeministrit kinez Ëen Jiabau. Ai e cilësoi si shumë të suksesshme vizitën e Kryeministrit Berisha në vitin 2009, në Republikën Popullore të Kinës dhe vlerësoi lart angazhimin e të dyja palëve për konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale, si dhe e falënderoi Kryeministrin për rolin e tij themelor në këtë drejtim. Ai shprehu gjithashtu, falënderimet për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luajti në anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës në OKB, si dhe për politikën konstante të qeverisë shqiptare për njohjen e një Kine të vetme.

Zoti Liu Çi ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë dëshmuar forca transformuese të shoqërive në të dy vendet dhe ftoi që një delegacion i lartë i Partisë Demokratike të vizitojë Kinën. Në mënyrë të posaçme ai shprehu interes për vizitën e një delegacioni politikanësh të rinj si një mjet shumë i mirë për forcimin e bazës shoqërore të marrëdhënieve ndërpartiake.

Duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor dhe në fusha të tjera me interes reciprok, Liu Çi u shpreh se qeveria kineze synon jo vetëm që të forcohet më tej miqësia tradicionale midis dy popujve, por këto marrëdhënie të bazohen në një partneritet me interes reciprok. Ai u shpreh se nisja e një turi vizitash në disa vende, me Shqipërinë, dëshmon rëndësinë që qeveria kineze i jep marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ai vlerësoi progresin e vrullshëm që ka njohur Shqipëria, veçanërisht nën drejtimin e Kryeministrit Berisha. Ai nënvizoi se të dy vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu, se do të inkurajojë kompanitë kineze me reputacion që të shfrytëzojnë potencialet që ofron ekonomia shqiptare. Në këtë kuadër, ai u shpreh se zyrtarët midis dy vendeve duhet të studiojnë të gjitha projektet e zhvillimit dhe mundësitë për financimin e tyre, si dhe shprehu interes për krijimin e një zone të lirë për investimet kineze. Ai gjithashtu informoi kryeministrin Berisha dhe shprehu kënaqësinë e tij se një grup prej 100 kompanish kineze në maj të këtij viti do të vizitojnë Shqipërinë.

Në takim një theks i veçantë iu vu forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit. Kryeministri Berisha e njohu zotin Liu Çi me nismën më të re të qeverisë shqiptare që gjuha kineze të mësohet si gjuhë e dytë e huaj në shkolla të mesme të vendit si një instrument për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve dypalëshe. Ai theksoi në këtë kontekst rëndësinë e bashkëpunimit për formimin e kuadrove dhe përgatitjes së teksteve dhe bazës materiale në këtë drejtim.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›