Berisha me gazetarët gjermanë: Integrimi, projekti ynë madhor për këtë shekull

Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri ka pritur sot një grup gazetarësh gjermanë, të cilët ndodhen për një vizitë në Shqipëri. Berisha ka bërë një panoramë të ekonomisë së vendit dhe rrugës së saj për përmbushjen e reformave.
Duke u ndalur në plotësimin e kritereve të kërkuara për anëtarësimin e BE, Berisha u shpreh se integrimi europian mbetet projekti më madhor në këtë shekull.
Për shoqërinë shqiptare nuk ka projekt më madhor për këtë shekull se integrimi në Bashkimin Europian. 20 vjet më parë, Shqipëria ka qenë vendi më unik në Europë, i cili nuk gëzonte thuajse as edhe një standard europian, edhe pse ekzistonte në këtë kontinent.
Sot, ajo i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme të larta, sipas Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare. Por qeveria e konsideron këtë proces të bazuar në meritë dhe po punon me përparësi për realizimin me shpejtësi të standardeve e normave të kërkuara për anëtarësimin në BE, tha Berisha.
Duke u ndalur në krizën ekonomike në eurozonë, Berisha ka ritheksuar para gazetarëve gjermanë se falë reformave të ndërmarra, ekonomia shqiptare arriti t`i rezistojë krizës më të rëndë ekonomike dhe financiare që Europa e bota kanë njohur. / G.N.