LSI i përgjigjet pozitivisht ftesës së Ramës dhe ka në mendje Metën për president?
Lëvizja Socialiste për Integrim është e para që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Edi Ramës për një takim për zgjedhjen e presidentit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, tha se është një përpjekje pozitive. Nuk është çudi që të ndodhë një takim Rama- Meta, ka thënë ai. Ndërkohë pak ditë më parë u duk se ishte Fatos Nano që dha sinjale se mund të ketë një takim mes tij me Ramën e Metën.
Por skema komplikohet pak më shumë për shkak se nga LSI kanë nisur me qëllim të qarkullojnë zëra se kandidati për president duhet të jetë Ilir Meta. Natyrisht Meta president do mbyllte hesapet e tij me drejtësinë.
Asnjë parti tjetër parlamentare deri më tani nuk i ka kthyer përgjigje ftesës së Ramës, edhe për shkak se sot është ditë pushimi. Megjithatë Meta është e qartë se po kërkon të imponohet në këtë proces.
Çfarë po ndodh? Një çarje e mazhorancës, apo një presion i LSI-së ndaj Berishës për të zgjedhur një President që dëshiron Ilir Meta, bosi i Ramës së LSI-së, shkruan tek respublica.al, Eduard Zaloshnja.
Po ashtu LSI duket se është kundër emrit më të përfolur deri më tani nga PD, Jozefina Topallit. Deri më tani skemat janë të gjitha të komplikuara, edhe për shkak të afrimit të Metës me Bashën.
Një gjë megjithatë është e sigurt, se të tre emrat, si Nano, Meta apo edhe Topalli, mund të marrin vota, por nuk do kenë kurrë konsensusin e opinionit publik në Shqipëri.