Berisha me gazetarët gjermanë: Integrimi, projekti më madhor
Kryeministri Berisha priti sot, nё kryeministri, një grup gazetarësh të mediave më prestigjoze gjermane, të cilët kanë nisur një vizitë disaditore në Shqipëri. Ndërsa ka bërë një panoramë të zhvillimeve në Shqipëri, kryeministri Berisha theksoi se për shoqërinë shqiptare, nuk ka projekt më madhor për këtë shekull, se integrimi në Bashkimin Europian.
“20 vjet më parë, Shqipëria ka qenë vendi më unik në Europë, i cili nuk gëzonte thuajse as edhe një standard europian, edhe pse ekzistonte në këtë kontinent. Sot, ajo i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme të larta, sipas Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare. Por qeveria e konsideron këtë proces të bazuar në meritë dhe po punon me përparësi për realizimin me shpejtësi të standardeve e normave të kërkuara për anëtarësimin në BE” theksoi Berisha.
Sipas tij Shqipëria vend i zhvilluar është projekti me të cilin vendi ynë synon të bëhet pjesë e BE-së dhe në realizim të kësaj, gjatë këtyre viteve janë ndërmarrë një sërë reformash kyç ekonomike, fiskale dhe strukturore. “Falë edhe këtyre reformave, ekonomia shqiptare arriti t`i rezistojë krizës më të rëndë ekonomike dhe financiare që Europa e bota ka njohur” shtoi ai.
Berisha theksoi më tej se një nga drejtimet kryesore, ku janë përqendruar përpjekjet e qeverisë, është edhe teknologjia e informacionit. “Aplikimin e procedurave dixhitale në shërbimet publike e shohim edhe si një nga faktorët e rëndësishëm në rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit. Shëndetësia, turizmi dhe mjedisi janë gjithashtu fusha me fokus të veçantë në programin e qeverisë” tha kryeministri ndërsa më pas paraqiti potencialet që Shqipëria ofron për investime.
Duke folur mbi ecurinë e procesit integrues të vendit, Kryeministri vlerësoi normalizimin e situatës politike në vend, duke theksuar se forcat politike po bashkëpunojmë në parlament për realizimin e reformave të kërkuara në kuadër të integrimit europian.