E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr çmim për përkujtimin e Holokaustit: SHBA-të mbrojtën pavarësinë tonë

Share

Kryeministri tha se shqiptarët kanë qenë të suksesshëm falë mbështetjes së SHBA. Në ceremoninë e marrjes së çmimit edhe Reeker, Countryman dhe ambasadori Arvizu. Berisha takon edhe senatoren Shaheen, të cilës i tha se kriza në Shqipëri është tejkaluar pasi opozita është në Kuvend

Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në Shtëpinë Muze të Presidentit Woodroë Wilson, i vetmi muze presidencial, ku edhe mori çmimin për Pluralizëm Kulturor. Çmimi iu akordua atij nga kryetari i Komisionit për Ruajtjen e Trashëgimisë Amerikane Jashtë, Warren Miller, me motivacionin: Akorduar Shkëlqesisë së tij, z.Sali Berisha, për kontributet e jashtëzakonshme në çuarjen përpara të kauzës për përkujtimin e Holokaustit, duke vendosur të vërtetën historike dhe promovuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shtetasve amerikanë në Shqipëri.

Duke folur në këtë ceremoni, Berisha tha se SHBA kanë mbrojtur shqiptarët në momente të vështira.

100 vjet më parë, njerëzit më të fuqishëm të asaj kohe menduan të mos lejonin që shqiptarët të kishin shtetin e tyre, edhe pse ne jemi me shumë gjasa një nga vendet më të vjetra në kontinent. Pak kohë më parë, një arkeolog, duke bërë disa kërkime në vendin tim, gjeti një nga fermat më të vjetra në Evropë. Kështu, për arsye të ndryshme, ata menduan se shqiptarët nuk duhet të shpallnin pavarësinë e vendit të tyre, madje edhe kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912, pati projekte të ndryshme për ndarjen përfundimtare të territorit të shqiptarëve, të cilat vijuan në mënyrën më këmbëngulëse. Por ishte Presidenti i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Presidenti Wilson, i cili, duke ruajtur parimet e tij mbi të drejtën e vendeve për vetëvendosje, u shokua nga mizoritë që  fqinjët e mi ishin angazhuar të bënin ndaj vendit tim, falë misionarëve Amerikanë, të cilët raportonin çdo ditë dhe çdo javë në median amerikane se çfarë ndodhte me këtë vend, por edhe falë shqiptarëve, të cilët, edhe pse në atë kohë ishin një nga komunitetet më vogla në këtë vend të madh, ia dolën më në fund të takohen me Presidentin Wilson. Themeluesi i Kishës Autoqefale të këtij vendi dhe ish Kryeministri më vonë, Fan Noli u takua më të, në Shtëpinë e Bardhë, në 14 Korrik të vitit 1918. Kështu, në një moment kyç të ekzistencës së shtetit tonë, Presidenti Wilson nuk pranoi një pjesë të madhe të çështjeve, në të cilat parashikohej që Shqipëria të mos ekzistonte si shtet, tha Berisha.

Kryeministri Sali Berisha tha se shqiptarët kanë qenë të suksesshëm falë mbështetjes së SHBA. në çdo moment kyç të kombit tonë, ne arritëm të ishim të suksesshëm, falë mbështetjes së SHBA-së dhe vendosmërisë.  Ne u mbështetëm, pasi kauza jonë ishte e drejtë dhe ishte një kauzë, një princip, në zemër të themelimit të këtij vendi. Sot pata një takim të shkëlqyer me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Clinton, e cila është pa diskutim një nga miket më të mëdha të vendit tim dhe bashkëshorti i saj është një hero kombëtar i shqiptarëve.

Edhe njëherë falënderimet e mia më të përzemërta për praninë tuaj sot, këtu, tha Berisha.

Të pranishëm në aktivitet ishin zyrtarë amerikanë, përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, përfaqësues institucionesh, fondacionesh, organizatash jo qeveritare e diplomatë, studentë shqiptarë, miq e dashamirës të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Midis të pranishmëve ishin edhe  Ndihmës Sekretari i Shtetit për Sigurinë Ndërkombëtare Thomas Countryman, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në zyrën për Europën dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit Philip Reeker, ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu.

Pak më herët Berisha u takua me senatoren Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për çështjet Evropiane.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha e njohu Senatoren Shaheen me zhvillimet aktuale politike ne Shqipëri. Kryeministri theksoi se opozita tashmë ishte prezentë në Parlament dhe problemet e vitit të kaluar ishin tejkaluar. Në këtë kontekst,  kryeministri theksoi se tashmë ekziston vullneti i forcave politike për heqjen e imunitetit për të gjithë zyrtarët në Shqipëri për akuza të lidhura me korrupsionin dhe krimin e zakonshëm, thuhet në një njoftim të kryeministrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›