Përurohet dyqani i parë “Praktiker” në Shqipëri
Është përuruar dje dyqani i parë i “Praktiker” në Shqipëri. Gjatë ceremonisë së përurimit ishin të pranishëm Ilir Meta, zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe ambasadori i Republikës së Gjermanisë, Bernd Borchart, që përshëndetën investimin e një prej liderëve të sektorit “bëje vetë” (do it yourself) në Evropë dhe Gjermani. Në fjalën e tyre ata përgëzuan nismën e “Praktiker” dhe e vlerësuan si një urë më shumë në afrimin midis dy popujve, atij gjerman me atë shqiptar. Të pranishmit në ceremoninë e përurimit i përshëndeti edhe Michael Arnold, anëtar i Bordit Ekzekutiv të “Praktiker”, i cili vlerësoi punën e bërë nga stafi i “Praktiker” në Shqipëri në hapjen e hipermarketit. Ai shtoi se hapja e hipermarketit të parë në Shqipëri është një hap shumë i rëndësishëm dhe strategjik për kompaninë gjermane. Ndërsa Yiannis Selalmazidis, menaxheri i Përgjithshëm i Shqipërisë dhe Greqisë, theksoi se ky nuk do të jetë i vetmi hipermarket i “Praktiker” në Shqipëri, por vetëm i pari. Ky është dyqani i parë shqiptar “bëje vetë” (Do It Yourself) dhe i përmirësimit të shtëpisë në një ambient me sipërfaqe prej 8700 metrash katrorë (7000 zonë blerjesh) me mbi 120 punonjës. Kjo e pozicionon “Praktiker” si pionierin e këtij sektori në Shqipëri. Deri tani në tregun shqiptar nuk ka patur asnjë format të tillë të shitjes me pakicë të krahasueshëm me atë që ofron “Praktiker”, as nga kompani shqiptare e as nga kompani të huaja. Hipermarketi i hapur në Tiranë është hipermarketi i 104-t Praktiker jashtë Gjermanisë dhe i pari në Shqipëri. Hipermarketi i Praktiker në Tiranë nuk do t’i vijë në ndihmë vetëm ndërtuesve të nivelit profesional, por edhe atyre që duan të ndërtojnë, rinovojnë, pajisin ose dekorojnë shtëpitë dhe apartamentet e tyre vetë. Tek hipermarketi i Praktikerit qytetarët mund të gjejnë mbi 35.000 produkte të organizuara në 18 sektorë, si lëndët e drurit, hidro-sanitaret, veglat dhe mjetet e tjera të punës, pllakat, mobiliet, aksesorë për makinat, pajisje për shtëpinë, pajisjet elektrike dhe materialet dekorative. Në shumëllojshmërinë e produkteve të “Praktiker” bën pjesë edhe një kategori e veçantë për kopshtet. Përveç produkteve, do të ofrohen një shumëllojshmëri shërbimesh, si prerja e drurit, prerja e tapeteve, përzierja e ngjyrave, vënia në provë e veglave të punës, riparimit i produkteve, transporti, marrja e porosisë me anë të telefonit, parkim, kafe-bistro, paketim dhuratash, ATM dhe pagesë me kartë krediti.